Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, e ka vetëm një votë nga dy sa u takojnë partive pakicë jo serbe në Kosovë, që vijnë nga komuniteti, rom, ashkali dhe egjiptian.
Vetëm deputeti i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, Danush Ademi, ka thënë se do ta votonte Ramush Haradinajn për kryeministër, ndërsa ai Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se Haradinaj nuk e ka sigurt votën e tij.
“Deri në këtë moment vota jonë nuk është e konfirmuar”, ka theksuar Berisha, citon Gazeta Observer.
Berisha ka thënë se prej mandatarit për qeveri presin poste ministrore dhe realizim të premtimeve ndaj këtij komuniteti.
Ai ka thënë se deri në këto momente ende nuk ka një vendim për kënd të votoj, por pret që nesër të zhvilloj një takim me Haradinajn e të dëgjoj ofertën nga ai.
“Cilado Qeveri që na garanton mirëqenien e komuniteteve mbi bazën tre mujore ose gjatë mujore, ne do të bashkëpunojmë me te. Ne kemi qenë në disa grupe parlamentare dhe të gjitha që janë premtuar në të kaluarën për ne si komunitet nuk janë përmbushur asnjëherë”, citohet të ketë thënë Berisha.
E, kolegu i tij, Ademi, i cili do të përfaqësoj zërin e komuniteti të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë legjislaturës së re, ka thënë se do të votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, duke përmendur edhe kërkesat e komunitetit të tij.
“Besoj që do ta votoj Ramush Haradinajn. Sikur të gjitha grupet parlamentare edhe ne do të kemi kushte. Kemi pasur takime më herët me Haradinaj. Kërkesat tona do të jenë si të gjitha komuniteteve tjera. Do të kërkojmë të mos jemi të diskriminuar”, ka deklaruar Ademi .
Por në rast se Haradinaj dështon ta formojë Qeverinë dhe këtë mandat e merr dikush tjetër, edhe Ademi thotë se do të përkrahin cilindo kandidat për kryeministër, sepse sipas tij, partia që ai udhëheq nuk ka kapacitet që të mbijetoj në opozitë./Insajderi.com