Deputeti grek: Greqia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës

Deputeti grek: Greqia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takim sot deputetin grek, Andreas Patsis, njëherësh edhe anëtar i Partive Popullore Evropiane (EPP), me të cilin biseduan për disa tema aktuale në vend, njofton Insajderi.

Derisa u fol për zhvillimet politike, menaxhimin e luftës kundër pandemisë COVID-19, planin për rimëkëmbje ekonomike, procesin e dialogut final ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për këtë të fundit Hoti tha se duhet të përfundojë me njohje reciproke, si dhe aspiratat e qarta të Kosovës për integrime në struktura euroatlantike.

Deputeti grek Patsis, falënderoi kreun e ekzekutivit kosovar për pritjen dhe theksoi se Greqia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës, duke i mbështetur në mënyrë aktive aspiratat e popullit të Kosovës.

Kryeministri vlerësoi lart marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën ekonomike.

“Roli mbështetës i Greqisë në rrugëtimin politik të vendit tonë, kryesisht në procesin e integrimit në struktura euroatlantike, si dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve tona është tepër i rëndësishëm”, tha Hoti. /Insajderi.com