Deputeti i AAK-së fotografohet me të akuzuarin për trafikim ndërkombëtar të drogës

Deputeti i AAK-së fotografohet me të akuzuarin për trafikim ndërkombëtar të drogës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, është fotografuar të martën me Naser Kelmendin, i akuzuar për trafikim ndërkombëtar të drogës.

Fotografinë që e ka bërë me Kelmendin, Demaliaj e ka bërë publike, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet.

Madje, ai ka bërë të ditur se Kelmendin e ka ftuar vetë, për të pirë një kafe.

“Me këtë malësorin e Kelmendit të Rugovës..!! Për pikë të qejfit e thirra me ja qitë nji kafe se u munduan me na anatemuar dhe me e lidhë politikisht miqësinë tonë 25 vjeçare..!!”, ka shkruar deputeti.

“Edhe Naseri nuk o plakë hiq por ju kisha lutur të rrini larg paragjykimeve sepse jam figurë publike dhe unë rri me të gjithë qytetarët e këtij vendi..!!!”, ka thënë ai.

“Më flasin ju flas dhe ndihem i çliruar nga çdo gjë sepse ndihem i pastër dhe nuk i kam borgj askujt dhe askush smë ka borgj në këtë vend..!!!”, thuhet në shkrimin e Demaliajt.

“Flm z.Naser Kelmendi që ju përgjigje ftesës për kafe bashkë..!!!”, përfundon shkrimi i tij në Facebook.

Përveç për trafikim ndërkombëtar të drogës, Kelmendi akuzohet edhe për vrasje dhe krim të organizuar.

Ai është liruar para një viti me vendim të Gjykatës së Apelit.

Kelmendi ishte liruar nga paraburgimi dhe rasti i tij ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, për pjesën të cilën ka qenë i dënuar.

Kelmendi ishte dënuar më gjashtë vjet burgim, më 1 shkurt të këtij viti, për shpërndarje të drogës.

Ai ishte gjetur fajtor për pikën 8 të aktakuzës, e cila thotë se ai ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë me tre burra të tjerë duke vënë në qarkullim 25 kg substancë narkotike të tipit heroinë.

Kelmendi vite më parë ishte bërë pjesë e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë listë në vitin 2012 e kishte vënë presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama.

Banka Federale e Shteteve të Bashkuara kishte kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të tij në Mal të Zi.

Për Malin e Zi, Kelmendi ka thënë vetë se e konsideron si atdhe të dytë. Ai nuk e ka fshehur se ka ndihmuar financiarisht referendumin për pavarësinë e këtij vendi në vitin 2006.

Kelmendi ka lindur në Pejë, në vitin 1958. Disa vite para represionit të Millosheviqit në Kosovë, policia serbe e ka regjistruar për akte të dhunës.

Në vitin 1976, kur ishte 19 vjeç, është dënuar me një vjet e gjysmë burgim për tentim-vrasje.

Sipas të dhënave të Komunës së Sarajevës, në vitin 1998 ka qenë qytetar me të drejta të plota i Bosnjë e Hercegovinës.

Në Bosnjë janë mirë të njohur edhe tre djemtë e Naser Kelmendit – Elvisi, Liridoni dhe Besniku. Së bashku me babanë e tyre, kanë “grumbulluar” disa kallëzime penale në Prokurorinë e Kantonit të Sarajevës, të cilat kanë të bëjnë me vrasje, tentim-vrasje dhe sjellje të dhunshme.

Policia e Serbisë e ka cilësuar si organizator dhe financues kryesor të trafikut të heroinës, që nga Turqia dhe Shqipëria arrin në Pejë dhe më pastaj, përmes Rozhajës, në Novi Pazar dhe nga aty në Evropën Perëndimore.