
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj ka paralajmëruar dorëzimin e mandatit të deputetit nëse, siç ka thënë ai, vazhdon situata e mbajtjes në paraburgim të dy deputetëve të arrestuar: Milaim Zeka dhe Shkumbin Demaliaj.
Dreshaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se nuk është e drejtë të arrestohen deputetët e Kuvendit.
Postimi i plotë i Dreshajt:
Arrestimi i deputetëve kosovarë për deklaratat e tyre në studio televizive është i padrejt dhe i turpshëm.
Prokuroria e Kosovës ka mjaft punë për të bërë, ka mjaft kriminelë që sillen në rrugët e Kosovës të lirë e kapadai.
Nuk është e lehtë ta mbyllësh një deputet të zgjedhur nga vota e popullit, veç pse ai ka shprehur mllefin e tij në studio televizive ndaj situatave të turpshme të krijuara kohëve të fundit.
Deputeti kudo në botë, në shtetet demokratike respektohet dhe gëzon imunitet, ndërsa tek ne arrestohet e lirohet me teke të dikujt!
Nëse kjo situatë vazhdon, publikisht e them se unë shumë shpejt do të dorëzoj mandatin e deputetit.