Deputeti i AAK-së: Po flitet që Fatmir Limaj do të kthehet në PDK

Deputeti i AAK-së: Po flitet që Fatmir Limaj do të kthehet në PDK

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka deklaruar se koalicioni nuk është në ditët më të mira mirëpo mes anëtarëve të koalicionit, nuk ka ndonjë mospajtim të theksuar.

Nitaj në RTV Dukagjini ka thënë se nuk dihen planet e kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limajt, që njëherit është pjesë e qeverisë, për raportet me Qeverinë.

“Ka lloj lloj storiesh. Çarshia flet që Limaj po kthehet në PDK. Kjo është një storie publike. Ne nuk e dimë çfarë mendom Fatmir Limaj e as Kadri Veseli. Ne e dimë që në raporte zyrtare nuk kemi probleme në funksionimin e koalicionit. Nuk ka pasur pakënaqësi që kanë mundur të kthehen në kushtëzime”, tha Nitaj.

Ai ka folur edhe për shkuarjen e Avni Arifit, shefit të kabinetit të kryeministrit Haradinaj në takim me palën serbe. Nitaj ka thënë se takimi ka qenë teknik dhe nuk janë zhvilluar bisedime politike

“Takimi ka zgjatur vetëm 7 minuta pasi pala serbe nuk është pajtuar me formatin e Takimit të Parisit”.

Deputeti i koalicionit qeveritar ka thënë se një takim puro-teknik nuk bën të shndërrohet në kauzë politike për partnerët tjerë të koalicionit.