Deputeti i AAK-së takohet me dilerin Naser Kelmendi: E kam mik

Deputeti i AAK-së takohet me dilerin Naser Kelmendi: E kam mik

Sot nëpër media është publikuar një fotografi ku shihen deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Shkumbin Demalija bashkë me dilerin e drogës Naser Kelmendin.

Në lidhje me këtë fotografi Demalija, ka folur për Gazetën Insajderi, ku ka treguar se Naser Kelmendin e ka mik që nga viti 1996.

“Unë atë e kam mik, tash e thirra po i nxjerri pak telashe po jam ka du me i bë disa foto të mira me të se na kishin fotografu keq, e thash t’i publikoj vet. Unë atë e kam mik, që 25 vjet njihem me të, e që 13 vite se kam pa se nuk ka qenë këtu. Na në Pejë qaty ku kemi me shku, në Dukagjin jemi taku, dhe unë nuk kam paragjykime për askënd”, ka thënë deputeti i AAK-së për Insajderin.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt të vitit të kaluar  e kishte dënuar me gjashtë vjet burgim  Naser Kelmendin, të akuzuarin për vrasje të rëndë dhe vepra që lidhen me narkotikë. Në lidhje me këtë Demalija, ka thënë se ai nuk e paragjykon askënd dhe sa i përket asaj ligji është për të gjithë.

“Edhe mua po me akuzojnë”, është shprehur ai.

Kelmendi më 2 gusht të vitit 2018, ishte  lëshuar në liri pasi  Gjykata e Apelit të Kosovës kishte  vendosur për rigjykimin për pikën e aktakuzës në të cilën ai ishte shpallur fajtor me vendim të shkallës së pare.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë shpalli në atë kohë Naser Kelmendin fajtor në pika 8 të aktakuzës që e akuzon atë me shitjen e 25 kilogramëve të substancës narkotike, heroinës së bardhë.

Kelmendi u lirua nga akuza për krim të organizuar, si dhe për organizimin e vrasjes së Ramiz Delaliq apo vrasjes së Delaliq, që thuhet se është kryer në vitin 2007 në Sarajevë.

Ai ishte arrestuar në maj të vitit 2013 nga Policia e Kosovës pasi u kërkua me fletëarrest ndërkombëtar nga Bosnja./ Insajderi.com