Deputeti i Albin Kurtit: Me LDK-në takohemi këtë fundjavë

Deputeti i Albin Kurtit: Me LDK-në takohemi këtë fundjavë

Rexhep Selimi, deputeti i Vetëvendosjes, ka thënë se me LDK-në do të takohen në fundjavë, duke shtuar se, çështja e presidentit do të jetë në tavolinë.

“I vetmi vendim i drejtë i cili u bë në legjislaturën e shtatë, ishte zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë dhe ju po doni ta zhbëni. Ne do të takohemi këtë fundjavë, përderisa shkojmë në tavolinë. Çështja e presidentit është në tavolinë, çështja e ministrive është në tavolinë. Tavolina e kësaj jave do të zgjedhë shumë çështje. Besoj që do të ketë kompromis nga të dyja palët”, ka thënë ai në Rubikon.

Sipas tij edhe pas fitores së 6 tetorit VV ka qenë e gatshëm të diskutojë menjëherë por se LDK-ja donte të priste certifikimin e zgjedhjeve.

Ai thotë se para 26 dhjetorit VV-ja ka dashur të shkojë me marrëveshje në seancën konstituive.

“Ka ardhur koha përfundimtare që duhet ta arrijmë marrëveshjen me LDK-në duke besuar që ata do ta kuptojnë se kush janë kundërshtarët e këtij bashkëpunimi. Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet ne duhet ta dimë ku po shkojmë. Ne duhet t’ua shpjegojmë qytetarëve se çfarë jemi duke bërë”, ka thënë ai.