
Deputeti i LDK-së, Naser Osmani e ka mik të mirë njërin prej njerëzve më të famshëm të kazinove në Evropë, Qazim Osmanin, shkruan Insajderi.
Deputeti Osmani, i cili votoi për mbylljen e lojërave të fatit në seancën e 22 marsit, ka thënë për Insajderin se do të votonte njësoj edhe nëse vëllai i tij do të ishte njeri i njohur i kazinove.
“Edhe vëlla me pasë, njëjtë kisha vepru për me ia mbyllë, s’ka të bëjë këtu personale asgjë. Kështu po të tregoj, vëlla që ma ka ba baba e nana me pasë, kisha votu sikur deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Kuvendit në përgjithësi”, ka thënë ai.
Deputetin e LDK-së e kanë irrituar pyetjet e Insajderit për lidhjet e tij me Qazim Osmanin, njeriun e famshëm të këtyre bizneseve.
Naser Osmani nuk beson që miku i tij do të vijë në Kosovë për të hapur të tilla biznese, ndoshta në veri të vendit, aty ku shteti i Kosovës nuk qeveris. Ai ka thënë se Qazim Osmani nuk është i përmasave të Kosovës.
“Qazim Osmani nuk ka kazino në Kosovës, as nuk besoj që vjen ai në Kosovë se nuk është i përmasave të Kosovës, është një biznesmen që vepron tjetërkund, në Gjermani e tjetërkund, jo në Kosovë, kështu që mos i ngatërroni senet”, është shprehur deputeti i LDK-së.
Sipas tij, ka deputetë të Kuvendit dhe familjarë të tyre që kanë të tilla biznese.
“Mos e degradoni një proces që e kanë votu të gjithë deputetët e Kosovës, pa përjashtim. Se ka deputetë që kanë edhe biznese, edhe familjarë, por ju po doni me degradu një proces që kanë marrë pjesë të gjithë deputetët e Kosovës, me ia mveshë dikujt”, ka thënë Osmani.
Biznesmeni kontrovers kosovar, Qazim Osmani, vite më parë kishte postuar edhe një foto me deputetin e LDK-së, Naser Osmanin. E njohur është edhe miqësia e tij me ish-anëtarin e LDK-së, Astrit Haraqinë. /Insajderi.com