Deputeti i LDK-së i reagon Haradinajt: Puna e shkollës nuk shtyhet me gjoks e me hu

Deputeti i LDK-së i reagon Haradinajt: Puna e shkollës nuk shtyhet me gjoks e me hu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë sot tha se ka qenë dashur të reagojë më herët lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për mos akreditimin e universitetit të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës.

Ai ka thënë se reagimi i tij ka ardhur për shkak të familjeve që kanë jetë mesatare dhe të atyre të varfra, pasi që sipas tij fëmijët e këtyre familjeve nuk do të mund të regjistrohen këtë vit.

Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit, ka reaguar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka thënë se fëmijët e Pejës, Mitrovicës e Prizrenit nuk merren në qafë pse bëjnë rrugë më shumë për shkollë e edukim më të lartë, ata merren në qafë kur të njëjtëve u hapen qymez universitete mahallash.

“Fëmijët e Pejës, Mitrovicës e Prizrenit nuk merren në qafë pse bëjnë rrugë më shumë për shkollë e edukim më të lartë. Merren në qafë kur të njëjtëve u hapen qymez universitete mahallash, të stërmbushura me militantë partiak që as emrin e vet s’dinë ta shkruajnë mbarë. Merren në qafë kur i kalojnë tre vite shkollë kot, sa për të kuptuar në fund se copa e letrës që i thonë diplomë ka vlerë më të ulët se sa çmimi i shtypjes së saj. Kështu merret në qafë një gjeneratë, një popull, një vend i tanë”.

“Prandaj s’gjejnë punë. Prandaj s’krijojnë punë. Prandaj, të pashpresë, largohen nga këtu. Kësaj i thonë theqafje”, ka shkruar Abdixhiku.

Më tutje ai ka shkruar se universitetet janë mbushur me familjarë dhe me militant partiak.

“Keni mbushur universitete me familjarë. Keni caktuar në krye të tyre – si në Gjakovë pardje dhe hiq më larg – militantë puro partiak. Keni mbushur klasat mësimore me dibiduzë par ekselancë që i thonë vetit “pro-e-sorë” universitarë. Dhe prisni, në fund, që po këta të njëjtit militantë e familjarë të marrin akreditim ndërkombëtar? Të bëjnë cilësi që njihet botërisht? Si?!. Mendoni se puna e shkollës shtyhet me gjoks e hu. Kaq dini, kaq flisni, kaq bëni”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.