Deputeti i LDK-së kërkon llogari nga ish-kryeshefi i “Telekomit” për kontratën e dyshimtë me “Paykos”

Deputeti i LDK-së kërkon llogari nga ish-kryeshefi i “Telekomit” për kontratën e dyshimtë me “Paykos”

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, dje në mbledhjen e komisionit hetimor për “Telekomin e Kosovës”, ka kërkuar llogari për keqpërdorimet që janë bërë në këtë ndërmarrje.

Ai ka kërkuar informacione shtesë nga dëshmitari i djeshëm, Mehdi Latifaj, ish-kryeshef ekzekutiv i “Telekomit të Kosovës”.

“Kam një interesim lidhur me kontratat me “Paykos” dhe një tjetër me “Solario”. Sa janë paguar ato?”, ka deklaruar Zemaj.

“Këto dy kontrata ndërlidhen me departamentin ose drejtorinë e marketingut. Por, në periudhë të ndryshme vjetore departamenti i marketingut ka paguar deri në 3 milionë euro”, ka thënë Latifaj.

Deputeti Zemaj të njëjtën pyetje e kishte bërë edhe një seancë tjetër të komisionit hetimor parlamentar.

Më 24 prill të këtij viti.

“… pashë që ju keni dhënë shuma marramendëse për një kompani e quajtur “Paykos” dhe një kontratë tjetër të quajtur “Solarium” si dhe kontrata e quajtur “4G” , kishte pyetur Zemaj dëshmitarin e asaj dite për keqpërdorimet në ndërmarrjet publike. Zemaj i kishte vlerësuar këto kontrata si të dëmshme për ndërmarrjen publike.

Dëshmitari Lamih Balaj, kryesindikalist në “Telekomin e Kosovës” pati pohuar se sindikata nuk ka informacione për këto kontrata.

“Ka kontrata që na nuk i dimë hiq, në Telekom prej vitit 2008 më përpara hin te kryeministri e presidenti sesa në katin e katërt, aty bëhen krejt punët e këqija”, kishte thënë Balaj.

Në katin e katërt, vendin ku bëhen punët e këqija sipas Balajt, gjenden zyra e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes. Në kohën e nënshkrimit të kontratave me “Paykos” dhe “Solario”, shef i kësaj zyreje ishte Agron Mustafa.

“Telekomi i Kosovës”, ka lejuar që kompania private “Paykos”, t’i hapë mijëra pika në tërë territorin e Kosovës dhe të shesë në to produkte të ndërmarrjes publike, duke nisur nga kartela, mbushje elektronike si dhe internet.

Ndërkaq kontrata me kompaninë “Solario”, parasheh krijimin e një platforme por që i mundëson klientëve të VALA’s blerjen e telefonave të mençur.