Deputeti i LDK-së thotë se nuk e rrëzojnë Qeverinë me votat e Listës Serbe

Deputeti i LDK-së thotë se nuk e rrëzojnë Qeverinë me votat e Listës Serbe

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë se për subjektin që ai bën pjesë nuk është e dëshiruar rrëzimi i Qeverisë duke faktorizuar Listën Serbe.

Rugova, në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini, tha se më e pëlqyeshme do të ishte rrëzimi i Qeverisë me votat e disa deputetëve të koalicionit qeveritar.

“Në parim  edhe ne LDK-ja dhe kryetari Isa Mustafa nuk jemi ithtarë të bashkëpunimit me Listën Serbe dhe faktorizimit të saj. Ne si opozitë jemi 58 deputetë të popullit mazhorancë”, tha ai.

Deputeti i LDK-së ka thënë se LDK-ja është e kujdesshme për mënyrat se si do të rrëzoj Qeverinë.

“LDK është jashtëzakonisht e kujdesshme në këtë drejtim, sepse nuk na duhet pushteti duke dëmtuar shtetin”, deklaroi Rugova.

Rugova thotë se duke injoruar Listën Serbe mund t’i dërgojmë mesazh Beogradit.

“Ne përmes deputetëve të Listës Serbe, duhet t’i dërgojmë mesazh Beogradit se ata janë qytetarë të Kosovës dhe paguhen nga buxheti i saj”, thotë ai.

Deputeti opozitar thotë se ka negociata edhe me disa deputetë dhe subjekte të mazhorancës, për të planifikuar rrëzimin e Qeverisë.

“Ne do t’i kërkojmë këto vota që na duhen te partnerët e koalicionit qeverisës. Kemi pasur takime me disa deputetë dhe subjekte politike të mazhorancës, por për momentin janë negociata që nuk dua të përmend emra”, tha ai.

“Ka sinjale pozitive edhe nga ta, sepse e kanë kuptuar se vendi nuk mund të shkojë në këtë konfuzion e amulli”, deklaroi ndër të tjera deputeti i LDK-së, Naser Rugova.