
Deputeti i Alternativës Ilir Deda ka thënë se kanë grumbulluar 27 nënshkrime të deputetëve për të nisur mocionin për rrëzimin e qeverisë. Sipas tij, deklaratat e partive opozitare se do ta rrëzojnë shpejt qeverinë, janë të rreme.
Në Interaktiv të KTV-së, Deda ka thënë se do të bisedojnë e partitë opozitare që të niset sa më shpejtë ky mocion, sidomos pas “vjedhjes industriale me 53 milionëshin për Bechtel & Enkan”.
“Mendoj se qeverinë duhet ta rrëzojmë për shkak të 53 milionë eurove. Më duket për çmenduri çfarë reagime të vobekta ka pasur ndaj një vjedhje industriale në Kosovë. Kurrë në Kosovë s’ka pasur keqpërdorim më direkt të shtetit”, ka thënë Deda.
Ai ka thënë se tashmë si parti i kanë dorëzuar nënshkrimet dhe po presin të diskutojnë edhe me partitë tjera.
“Kemi deponuar nënshkrimet për mocion te LDK-ja. Do të bisedojmë edhe me VV-në, PSD-në, edhe LDK-në për të nisur mocionin për rrëzim të qeverisë. Krejt ky diskutim dy muajt e fundit ka qenë i rremë për popullin”, ka shtuar ai.
Sipas tij, nuk ka mundësi të rrëzohet Qeveria pa votat e Listës Serbe. Deklarimet e deritashme të opozitës kanë qenë të rreme.
“Opozitarët po thonë se duam ta rrëzojmë qeverinë, por pa Listën Serbe. Qysh po doni me i bë 61 vota? Do të thotë po rrejnë. Deputetët e Listës Serbe janë deputetë të Kosovës. A bëhemi 61, hajde po bëhemi e po e rrëzojmë. Nëse s’bëhemi pse po e rrejmë popullin se po e rrëzojmë qeverinë. S’ka kurrfarë iniciative konkrete”, ka deklaruar deputeti Deda.
Deputeti Deda thotë se duhet të provohet rrëzimi i Qeverisë nëse janë votat, e nëse jo, atëherë të mos bëhen deklarime të tilla.
“Ne jemi vetëm dy deputetë dhe mund të kërkojmë prej LDK-së që nënshkrimet e deponuara që i kemi te ta për mocion ta iniciojmë. S’ka pas iniciativë, vetëm i kemi mbledhë nënshkrimet në rast se bëhet mocioni. Nuk po duam të jemi pjesë e ‘në rast se’, por hajde po provojmë po e rrëzojmë. 24 nënshkrime janë të LDK-së, dy të Alternativës dhe një tjetër është Korab Sejdiu”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.