Pas dorëheqjes së Gent Cakajt nga pozita e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme në Shqipëri, në Kosovë është aluduar se i njëjti mund t’i bashkohet listës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, njofton Insajderi.
Lidhur me këtë çështje, deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha tha se ende nuk ka asgjë zyrtare.
“Të them të drejtën janë të mirëseardhur dhe të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë derën e hapur në PDK. Mendoj që edhe përgjigja e tij ishte konkrete. Është i mirëseardhur çdo qytetarë, por mbettë zotëri Cakaj që të mendoj vet se a dëshiron që t’i bashkohet politikës apo të fokusohet tek familja e vet, apo plane të tjera. Ne nuk kemi ndonjë informacion konkret. Nuk ka konfirmim konkret”, ka thënë Hoxha në T7.
Ai theksoi se si Cakaj ashtu edhe Vlora Çitaku janë të mirëseardhur për t’u bërë pjesë e listës së PDK-së në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm./Insajderi.com