Deputeti i PDK-së i reagon eurodeputetes gjermane: Turp të kesh

Deputeti i PDK-së i reagon eurodeputetes gjermane: Turp të kesh

Memli Krasniqi, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes gjermane në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, rreth takimit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi me liderët e partive politike.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Krasniqi i ka thënë Von Cramon se duhet të ketë turp për mosrespektim që është duke e bërë me institucionet e Kosovës, raporton Gazeta Insajderi.

“Ju duhet të keni turp për mosrespektimin tuaj ndaj institucioneve dhe procedurave demokratike të Kosovës! Kush jeni ju që të postoni rregullisht komente kaq të padrejta dhe të ashpra kundër vendimeve të shumicës dërrmuese të përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës? Turp të kesh!”, ka shkruar Krasniqi.

Viola von Cramon, eurodeputetja gjermane në Bashkimin Evropian (BE), ka shkruar sot në Twitter se ajo çfarë po bënë presidenti Thaçi është absurde, përcjell Insajderi.

“Po bëhet çdo ditë e më absurde Hashim Thaçi. Jam pa fjalë. Pyes veten se si mund të përfundojë kjo. Pse presidenti po e vë në rrezik vendin e tij”, ka shkruar von Cramon.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do t’ia jap mandatin cilësdo parti apo koalicion i cili do t’ia dëshmojë se i ka votat e mjaftueshme në Kuvend për ta votuar qeverinë, shkruan Insajderi.

Kreu i shtetit, në takimin me të gjithë liderët e partive politike, ka thënë se dhënia e mandatit do të ndodhë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Si rrjedhojë e gatishmërisë së shprehur nga ju, duke respektuar Kushtetutën, ligjet, unë do t’ia jap mandatarin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se i ka votat në Kuvend”, ka thënë Thaçi, në takim me krerët partiak. /Insajderi.com