Deputeti i PDK’së i reagon Vitisë për vaksinim: Jeni bërë rezil

Deputeti i PDK’së i reagon Vitisë për vaksinim: Jeni bërë rezil

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, thotë se ka pranuar mesazhe të shumta nga qytetarët që ankohen për pamundësinë e vaksinimit anti-COVID, ndonëse kanë aplikuar në sistem për vaksinim, njofton Insajderi.com.

Me anë të një postimi në Facebook, Lushtaku ka kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, duke thënë se po thërret për vaksinim e në anën tjetër po e pamundëson vaksinimin e qytetarëve.

“Në llogarinë time, kam pranuar me qindra mesazhe nga qytetarët, të cilët ankohen se nuk po kanë mundësi për t’u vaksinuar edhe pse kanë aplikuar në sistem për vaksinim. Në njërën anë “Qeveria Kurti” thërret për vaksinim e në anën tjetër nuk ua mundëson vaksinimin qytetarëve”, ka shkruar ai.

Sipas Lushtakut, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të duhet të ishte i përkushtuar që çdo qytetar të marrë vaksinën, meqë vendi po kryeson renditjen sa i përket të infektuarve.

“Jeni bërë rezil! Qeveria Kurti dhe Ministri Vitia nuk do duhej të kishin kohë për vallëzim, por do duhej të ishin të përkushtuar që çdo qytetarë të marrë vaksinën, apo të paktën ata që tashmë kanë aplikuar. Kosova tanimë kryeson renditjen për sa i përket të infektuarve me Covid19”, ka thënë ai. /Insajderi.com