Qeveria e Kosovës me shumicë votash ka votuar që taksa për produktet e Serbisë të ngrihet nga 10 në 100 për qind.
Një vendim i tillë sipas Deputeti të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu është i duhuri ndonëse i vonuar, shkruan Insajderi.
Sejdiu përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se këtij vendimi duhet t’i shoqërohen edhe masa të tjera.
Sipas tij Kosova duhet të sillet si shtet dhe në mënyrë të barabartë me të tjerët, përfshirë edhe Serbinë.
Shkrimi i plotë i Sejdiut në Facebook:
Vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që taksa për produktet e Serbisë të ngrihet nga 10 në 100 për qind është i duhuri!
Ndonëse i vonuar, ky vendim duhet të shoqërohet edhe me masa të tjera, drejt ndërtimit të reciprocitetit të plotë në marrëdheniet tona të jashtme. Kosova duhet të sillet si shtet dhe në mënyrë të barabartë me të tjerët, përfshirë edhe Serbinë.
Vetëm kësisoj mund të ndërtojmë paqen afatgjate, fqinjësi të mirë, zhvillim të përbashkët dhe barazi midis popujve.
Taksa prej 10 përqind për produktet nga Serbia e Bosnje Hercegovina ishte vendosur më 6 nëntor nga Qeveria e Kosovës./Insajderi.com