Deputeti i Vetëvendosje: Haki Rugova e shkarkoi drejtorin e Policisë

Deputeti i Vetëvendosje: Haki Rugova e shkarkoi drejtorin e Policisë

Javën e kaluar u arrestuar nga policia e Kosovës nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova. Sot, e premte, u shkarkuar drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, nga kryeministri, Avdullah Hoti, i cili vjen po nga LDK.

Për këtë arsye, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, po aludon se arrestimi i Haki Rugovës dhe shkarkimi i Qalajt ka një lidhje.

“Haki Rugova e shkarkoi Drejtorin e Policisë”, shkruan Bajqinovci, duke supozuar se shkarkimi i Qalajt është pasojë e arrestimit paraprak të Rugovës.

Bajqinovci edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ia ka përmendur Hotit lidhjen, që ai beson se e ka, me kryetarin e Istogut.

“Ju jeni kukull, bateritë i ka Haki Rugova”, i tha Bajqinovci Hotit.

Sipas deputeti të VV-së, Hotin e ka zgjedhur fuqia e Haki Rugovës brenda LDK-së, prandaj “jeni kryeministër që nuk iu pyet askush”.

“Kryeministër mos harro, Hakia të ka dhënë këtë karrige. Askush tjetër. Burimi i krijimit të kësaj qeverie është Hakia dhe klani i tij. Kurrë mos thuaj se kjo qeveri nuk është e korruptuar se shefi i tij është i tillë. Ai që të ka dhënë stafetën është në arrest shtëpiak. Ti je derivat i tij, asgjë më i mirë s’je. Prandaj të gjithë do të përfundoni herët a vonë në Prokurori. Jeni të tillë dhe nuk mund të ikni kësaj”, ka thënë Bajqinovci në seancën e sotme të Kuvendit.

Haki Rugova bashkë me dy zyrtarë të tjerë të komunës, u arrestua javën e kaluar me pretendime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rugova dhe dy zyrtarët e tjera janë marrë në pyetje nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’./Insajderi.com