Deputeti i VV-së: Driton Selmanajn s’do ta lejojmë të marrë pjesë në seanca

Deputeti i VV-së: Driton Selmanajn s’do ta lejojmë të marrë pjesë në seanca

Ushtruesi i detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se zëvendëskryeministri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, nuk do të mund të jetë i pranishëm në seancat e Kuvendit, njofton Insajderi.

Përmes një konference për media, Aliu është shprehur se sërish do ta pamundësojnë mbajtjen e seancave nëse prezent do të jetë zëvendëskryeministri Selmanaj.

“Për shkak të protestës së Grupit të VV-së e keni parë që është ndërprerë seanca. Lidhur me këtë çështje në kemi shprehur qëndrimin tonë për Selmanaj dhe nuk e dëshirojmë atë në seancë pasi e kemi shpallur të padëshiruar”.

Sipas tij, Selmanaj shkoi me vetëdije në sallë duke e ditur paralajmërimin e tyre se do të kundërshtojnë prezencën e tij.

“Prezenca e tij është provokim me vetëdije. Ardhja e tij është bërë për shkak të ballafaqimit, e ashtu quajtura shumicë i ka veç 34 vota”.

Ndërsa, lidhur me interpelancën plenare të kryeministrit të vendit, Adullah Hoti, për çështjen e Liqenit të Ujmanit e cila do të mbahet në orën 14:00, Aliu tha se nëse Selmanaj sërish do të jetë prezent në sallë, i bie që Hoti nuk dëshiron të ballafaçohet.

“Shumë e thjeshtë, në orën 14:00 pritet seanca e re, ku do të jetë edhe interpelanca për Ujmanin. Ne presim që Hoti të vijë e të raportojë, por nëse vjen edhe Selmanaj, kjo do të thotë që kryeministri nuk dëshiron të përballet. Për sa kohë që Selmanaj është brenda në sallë, reagimi ynë do të jetë i njejtë”, ka thënë tutje Aliu. /Insajderi.com