Deputeti i VV-së i reagon Pacollit, e quan arrogant

Deputeti i VV-së i reagon Pacollit, e quan arrogant

Deputeti i VV-së Artan Abrashi ka komentuar deklaratën e Behgjet Pacollit të cilit është kërkuar  futja në karantinë 14 ditë në Qendrën e Studentëve nëse vjen në Kosovë.

Deputeti nga Prizreni e ka quajtur arrogancë feudale të Pacollit kërkesën e tij për të mos u futur në karantinë.

“Arroganca feudale e Behgjet Pacollit për t’u trajtuar ndryshe prej neve është neveritëse, e papranushme dhe nuk duhet të tolerohet. Detyrimet nuk pyesin për standarde jetese e as për thellësinë e kuletës. Karantimi 14 ditor për shtetasit e ardhur nga jashtë është i obligueshëm. Dhjetra e qindra qytetarë me mundësi të dobëta ekonomike dënohen çdo ditë për mospërfillje të masave. Pse ky të trajtohet ndryshe”, ka shkruar Abrashi.

Abrashi ka thënë se çdo qytetar është i barabartë para ligjit.

“Çdo qytetar është i barabartë para ligjit. Dmth, të drejtat dhe detyrimet e miliarderit dhe hamallit peshojnë njejtë. Mbi këtë bazë është ndërtu koncepti i shtetit të së drejtës që aspirojmë ne. Ky është kushti kryesor i kontratës shoqërore në mes shtetit dhe qytetarit. Barazia para ligjit”, ka thënë Abrashi.

Në fund, Abrashi i ka thënë Pacollit se është i mirëseardhur por fillimisht në konvikt.