Deputetë e kanë ashpërsuar debatin në seancën e sotme të Kuvendit. Ata po ankohen se po e fyejnë njëri tjetrin, dhe ankesën e bëjnë derisa vazhdojnë të fyhen.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në debat e sipër me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ia ka përmendur Arben Gashit zënkën që e kishte me Xhavit Halitin në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.
Deputetët e LDK-së u ankuan se është ofenduese dhe e palejueshme që qeverisë së re t’i thuhet “Qeveria Koti” në vend se Qeveria Hoti, dhe në replikë Rexhaj ia ka përmendur Gashit duke dashur t’i thotë se s’është i denjët ta gjykojë fjalorin e sjelljen e dikujt.
Në anën tjetër Arben Gashi nuk ka dashur të flas për këtë rast. Ka thënë se është marrë gjykata me të.
“Ngjarja që ka ndodhur është një ngjarje që është gjykuar në gjykatë, për mua është çështje e mbyllur”, ka deklaruar Gashi.
Në debat është përfshirë edhe kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani. Ajo ka deklaruar se “sa për korrektësi nuk ka qenë deputeti Gashi që e ka sulmuar Halitin, por e kundërta ka ndodhur”.
Rasti në mes te Gashit e Haliti kishte ndodhur rreth dy vjet më parë, në majin e vitit 2018, kur fillimisht dy deputetët ishin sharë me fjalë e një ditë më vonë, Haliti me bërryl e gishte goditur në trup Gashin.
Deputetët tjerë kishin ndërhyrë dhe nuk kishin lejuar që situata të eskalojë tutje./Insajderi.com