Deputeti i VV-së për pezullimin nga puna në UP: I kam mëdyshjet dhe dilemat e mia në atë nëse është vendim i drejtë

Deputeti i VV-së për pezullimin nga puna në UP: I kam mëdyshjet dhe dilemat e mia në atë nëse është vendim i drejtë

“Nuk jam në gjendje të sakrifikoj profesionin tim edhe në një mandat tjetër”.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fitim Uka, njëri prej 11 profesorëve për të cilët dje është marrë vendimi që t’iu pezullohet puna e tyre në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ndonëse e ka respektuar këtë vendim dhe ishte i pari nga këta profesorë, që e dërgoi njoftimin për pezullim te dekani i Fakultetit ku ligjëron, Uka thotë se duhet të ketë një interpretim ndryshe për deputetët të cilët janë të angazhuar në Universitetin e Prishtinës, pasi që puna si deputet nuk e kërkon domosdoshmërisht prezencën tetë-orëshe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“I kam mëdyshjet dhe dilemat e mia në atë nëse është vendim i drejtë apo jo ai që është marrë apo që ligji e reflekton racionalisht situatën në të cilën jemi, por personalisht po them që unë e kam respektuar me përpikëri dhe tash do të vazhdoj që ta respektoj deri në përfundim të mandatit”, ka thënë Uka.

Sipas tij, pezullimi i punës në Universitetin e Prishtinës nuk e rritë performancën në Kuvendin e Kosovës edhe anasjelltas.

“Ju them me bindje të plotë, angazhimi im në Kuvendin e Kosovës asnjëherë nuk e ka zbehë performancën time në Universitet të Prishtinës në të kaluarën, por nuk do ta zbehte edhe tash”.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili këtë post ka fituar në dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme, beson se nuk duhet që të gjitha kategoritë e të punësuarve në politikë “të futen në një thes”.

Ai thotë se nuk është njëjtë sikurse angazhimi i një ministri dhe përzgjedhja e një deputeti në Kuvendin e Kosovës, “sepse ministri e ka një përgjegjësi tjetër, e ka një orar të caktuar të punës që ndonjëherë e tejkalon edhe tetë-orëshin, ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës e ka për obligim të lajmërohet në seanca dhe të jetë i pranishëm gjithashtu edhe në Komisionet Parlamentare, e këto me rutinën e punës që ka Kuvendi i Kosovës aktualisht, nuk janë më shumë se dy ditë efektive të punës”, që sipas tij, praktikisht i bie se angazhimi i tyre përtej kësaj, është i mundshëm.

Ministria e Punëve të Brendshme kohë më parë ka lëshuar një opinion ligjor ku është sqaruar se stafi akademik dhe personeli arsimor i shkollave publike konsiderohen, “nëpunës të shërbimit publik” me ç’rast hyjnë në kuadër të Ligjit për Zyrtarë Publikë.

Sipas këtij opinioni, profesorët e Universiteteve Publike në momentin që zgjidhen deputetë të Kuvendit të Kosovës, duhet të pezullojnë marrëdhënien e punës në universitet.

“Në rast se nëpunësi i shërbimit publik zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoj: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit, deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhet në opinion ligjor.

Uka këtë e quan “një paradoks”, meqë ai dhe 10 kolegët e tjerë të pezulluar nga aktiviteti i tyre në UP, mund ta mendojnë angazhimin e tyre në institucione të tjera private.

I pyetur nëse pas këtyre katër vjetësh angazhim në politikë, do të vazhdonte rrugëtimin e tij në këtë fushë apo do t’i rikthehej mësimdhënies, Uka thotë se këtë të fundit e ka profesion jetësor.

“Megjithëse jam në këtë situatë në të cilën jam, kam marrë besimin e qytetarëve me qenë edhe një herë tjetër deputet në Kuvend, e kam të pamundur të bëjë zgjedhje tjetër, por besoj që pas katër vitesh kur të formohet legjislatura e re, zgjedhja ime do të jetë krejt tjetër prej kësaj që kam bërë tash”, shprehet ai për redaksinë.

Uka thekson se e ka të qartë rrugën e tij që do ta ndjekë pas katër vjetësh dhe nuk do të kandidojë për deputet, ndonëse puna e tij gjatë kohës sa është brenda Kuvendit, do të fokusohet në përpjekjen për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Universiteti i Prishtinës, më 5 maj ka bërë të ditur për Insajderin se janë lëshuar 11 vendime për profesorët të cilët janë mandatuar si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtyre 11 vendimeve, profesorë të cilët janë edhe deputetë vijnë nga të gjitha partitë shqiptare parlamentare e që janë profesorë në fakultete të ndryshme.

Deputetëve dhe profesorëve që u janë lëshuar vendim për pezullim të punës në UP janë:

1.Prof.dr. Enver Hoxhaj, (Fakulteti Filozofik);

2.Prof.ass.dr.Ardian Kastrati, (Fakulteti Filozofik);

3.Prof.ass.dr. Ardian Gola, (Fakulteti Filozofik);

4.Ass.dr.Fitim Uka, (Fakulteti Filozofik);

5.Prof.dr. Kujtim Shala, (Fakulteti Filologjik);

6.Prof.dr. Avdullah Hoti, (Fakulteti Ekonomik);

7.Prof.ass.dr. Hikmete Bajrami, (Fakulteti Ekonomik);

8.Ass. Eliza Hoxha, (Fakulteti I Arkitekturës);

9.Prof.asoc.dr. Ferat Shala, (Fakulteti Inxhinierisë Mekanike);

10.Prof.asoc.dr. Shemsedin Dreshaj, (Fakulteti i Mjekësisë) dhe

11.Prof.ass.dr.Albena Reshitaj, (Fakulteti i Mjekësisë). /Insajderi.com