Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të raportojë në Komisionin për Legjislacion për zotimin e tij lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe si dhe procesin e Vetingut, njofton Insajderi.
Iniciuesi i kësaj kërkese, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi tha se kreu i ekzekutivit duhet të sqarojë si do të themelojë “Zajednicën”.
“Është shumë e rëndësishme që kryeministri me ardhë më raportu për deklaratat publike për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Të kemi këtu për ta pyetur se si e ka mendu implementimin e këtij. Ky raportim nuk ka të bëjë me raportimin e Hotit në Kuvend”, tha ai.
Për këtë çështje u pajtua edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili tha se duhet të sqarohen këto zotime, si dhe kërkoi që kryeministri të raportojë edhe për vetingun.
Por këtë kërkesë e cilësoi si të pabazuar kryetari i komisionit, Shkëmb Manaj. /Insajderi.com