Deputeti i VV-së: Zemaj i iku raportimit në Komision

Deputeti i VV-së: Zemaj i iku raportimit në Komision

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, është deklaruar rreth ngjarjes së sotme në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku ishte duke raportuar Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e që më pas e liroi edhe sallën para kohe, njofton Insajderi.

Rrahmani në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, tha se nuk ka pasur përplasje midis tij dhe ministrit Zemaj, por sipas tij, ky i fundit doli nga Komisioni vetëm për t’i ikur raportimit për të gjeturat e Raportit të Auditimit.

“Sot në Komisionin për Mbikqyrjen e Financave Publike gjatë deklarimit tim, unë iu drejtova ministrit Zemaj duke i treguar që nuk po i dalin analizat e pasakta ato që po i bën me sy dhe i tregova që i pasaktë ka qenë edhe në Podujevë. Kështu që ministri me arrogancën e tij duke ikur për të mos raportuar për të gjeturat e Raportit të Auditimit dhe e liroi sallën dhe vazhdoi, pra e gjithë kjo ka qenë ajo që ndodhi sot. Nuk ka pasur përplasje, pra ajo ishte për mosqëllimin e rezultateve të zgjedhjeve në Podujevë për çka ai e ka liruar sallën, mirëpo arsyeja e vërtetë e tij ishte për të mos raportuar për të gjeturat e Raportit të Auditimit dhe ky ka qenë arsyetimi”, ka thënë Rrahmani për redaksinë.

Ai tutje shtoi se fillimisht e kishte përgëzuar ministrin Zemaj për guximin e tij i cili kishte ardhur për të raportuar, meqë ka refuzuar disa komisione të tjera, përfshirë edhe atë të Shëndetësisë për raportim, por që sipas tij ka shumë të gjetura të cilat po të kishte guximin, Zemaj do të merrej me to dhe t’i adresonte në instituticonet përkatëse.

“Në fakt në fillim të seancës unë e përgëzova në njëfar mënyre për guximin që ka ardhur të raportojë për shkak se ai është duke i refuzuar edhe komisionet e tjera, sidomos atë të Shëndetësisë për raportim dhe tjetra ka qenë kjo humbja në Podujevë ku evçse është inatosur nga deklarimet dhe më pas është larguar sepse sa i përket Raportit të Auditimit, ka të bëjë më shumë me frikën e tij për tu marrë me to. Ka shumë të gjetura të cilat ky po ta kishte guximin do t’i drejtonte edhe në Prokurori dhe do të merrej me to, andaj ai as nuk pati guximin as për t’i diskutuar e lëre më për t’i adresuar”, ka përfunduar Rrahmani.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e kishte lënë në gjysmë raportimin në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ndërsa thuhet se largimi i tij nga salla e raportimit ndodhi për shkak se deputeti i VV-së i tha se raportimi i tij për  Auditimin e Pasqyrave  Vjetore Financiare të vitit 2019 për Ministrinë e Shëndetësisë, ishte i mirë, por që nuk ja ka qëlluar edhe rezultatin e zgjedhjeve në Podujevë. /Insajderi.com