Deputeti Hatim Baxhaku thotë se e ka mbështetjen e Degës së LDK-së në Prizren që të kandidojë për kryetar të këtij qyteti. Por ai frikohet se këtë nuk do ta lejojë lideri i partisë, kryeministri Isa Mustafa. Krejt kjo, për arsye se ai si deputet është kundër miratimit të demarkacionit me Malin e Zi. Ky është rrëfimi i tij për Insajderin.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duket se është i gatshëm që në çdo mënyrë që ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi të ndodh sa më parë.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje është temë aktuale në vendet ku i pari i LDK-së qëndron.
Kalimi i kësaj marrëveshje ishte temë diskutimi edhe në takimin e Mustafës me degën e Prizrenit ditë më parë.
Mustafa për këtë çështje u kundërshtua nga vetë kryetari i degës së Prizrenit, njëkohësisht deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hatim Baxhaku.
Isa Mustafa ashtu si në mbledhjen e përgjithshme të LDK-së, edhe në këtë mbledhje ka përsëritur se anëtarët e kryesisë dhe deputetët që nuk i përkrahin vendimet e strukturave të LDK-së nuk do të kenë përkrahjen e LDK-së.
“Ashtu si në Këshill të Përgjithshëm ashtu edhe në mbledhjen Mustafa ka përsëritur se ata që nuk i përkrahin vendimet e strukturave të LDK-së, nuk do të kenë përkrahjen e LDK-së”, citon Baxhaku.
Deputeti, Baxhaku, ka konfirmuar se ai ka marrë pëlqimin e anëtarëve të degës së Prizrenit që të kandidoj për kryetar të Komunës, nga LDK-ja.
“Po është e vërtet unë kam pëlqimin e degës së LDK-së në Prizren që të jem kandidat për kryetar të kësaj komune”, ka thënë Baxhaku.
Baxhaku, ka rrëfyer për Insajderin takimin e degës së Prizrenit me kryetarin e LDK-së, Baxhaku, ka thënë se para Mustafës ka shfaqur dilemat e tij për çështjen e demarkacionit.
“Unë kam shfaqë mendimin tim në atë mbledhje për këtë çështje i cili ka qenë ndryshe nga të tjerët, por asnjë herë nuk jam deklaruar përfundimisht nëse do ta votoj pro apo kundër”, ka thënë Baxhaku.
Baxhaku, ka thënë se përgjigjen e Mustafës nuk e ka parë si kërcënim të veçantë por është thënë në mënyrë gjenerale ashtu si në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm se ata që nuk i përkrahin vendimet e LDK-së nuk do të kenë mbështetjen e kësaj partie.
“Mendimi im ka qenë ndryshe por kërcënime të drejtpërdrejta nuk ka pasur por është thënë në mënyrë gjenerale ashtu si në mbledhjen e përgjithshme edhe në këtë mbledhje me kryesinë e degës së Prizrenit është përsëritë se ata që nuk i përkrahin vendimet e strukturës së LDK-së nuk do të kenë përkrahjen e LDK-së”, ka thënë Baxhuku.
Lidhur me të njëjtën kryeministri Mustafa, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kanë pranuar telefonata nga zëvendës/ndihmës sekretarin amerikan i shtetit të SHBA-ve, Brian Hoyt Yee, ku ndër të tjera kërkohet që marrëveshja për ndarjen e kufijve Kosovë- Mali i Zi të ratifikohet sa më shpejt.
Dilemat e tyre sa i takon çështjes së demarkacionit përveç, Hatim Baxhukut, janë shprehur kundër edhe disa deputet të tjerë të LDK-së.
Deputeti Anton Quni, që vjen nga Rajoni i Dukagjinit, po ashtu ka dalë hapur kundër kësaj marrëveshje ndërsa në këtë listë hyn edhe deputeti Adem Salihaj.
Mediat kanë raportuar po ashtu se edhe deputetja Besa Gaxherri, e cila vjen nga Peja, rajon ky që preket me versionin e ri të marrëveshjes, është kundër. Në anën tjetër, deputetët Vjosa Osmani e Arben Gashi, kanë thënë se qëndrimin e tyre ata do ta tregojnë me votë./Insajderi.com