Djali i kryetarit të Skenderajt që arriti të bëhej deputet i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku është shfaqur krenar që për herë të parë në qytetin e tij, falja e namazit të Kurban Bajramit është bërë në një hapësirë publike, saktësisht ne Sheshin që mban emrin e heroit kombëtar Adem Jashari.
Por përpos kësaj, Lushtaku i cili bashkë me babain e tij Sami Lushtaku është parë në rendin e parë të njerëzve në faljen e namazit në Shesh, ka bërë edhe një ndërlidhje të sakrificës së familjes Jashari për liri dhe sakrificës së Kurban Bajramit, raporton Insajderi.
“Për herë të parë e falëm namazin e Bajramit të Kurbanit në qiell të hapur në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, duke përjetuar një emocion të veçantë dhe të përzier njëkohësisht. Sakrifica që ka bërë Heroi dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij ndërlidhej mrekullisht me simbolikën që ka Bajrami i Kurbanit, si festë e sakrificës që bën njeriu për Zotin Fuqiplotë”, ka shkruar Lushtaku teksa ka shpërndarë një urim me dy fotografi nga falja e namazit.
Urime Kurban BajramiPër herë të parë e falëm namazin e Bajramit të Kurbanit në qiell të hapur në sheshin "Adem Jashari…
Posted by Mergim Lushtaku on Friday, 1 September 2017
Lushtaku e ka sqaruar edhe më tej pse sakrifica e Jashari lidhet me sakrificën e myslimanëve për Kurban Bajram.
“Pastaj, përkujtimin nevojën e njeriut për liri, për ndihmë ndaj të afërmëve dhe atyre që s’i kanë mundësitë. Andaj, të gjithë besimtarëve muslimanë ua uroj festën e Bajramit të Kurbanit, duke u dëshiruar paqe, lumturi e begati! Zoti e forcoftë në rrugën e drejtë popullin e Kosovës! Zoti e begatoftë Kosovën me të mirat e Tij. Urime”, ka shkruar Lushtaku.
Në faljen e namazit në sheshin “Adem Jashari” ka marrë pjesë edhe Rifat Jashari nga kjo familje./Insajderi.com