Deputeti i Vetëvendosjes nesër gjykohet mbi dyshimet për “terrorizëm”

Deputeti i Vetëvendosjes nesër gjykohet mbi dyshimet për “terrorizëm”

Frashër Krasniqi, i cili fitoi votat e mjaftueshme më 11 qershor për t’u zgjedhur deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është bërë protagonist që në seancat e para të Kuvendit të Kosovës. Në rastin e parë kur mori fjalën në foltoren e Kuvendit, Krasniqi hapi një debat të madh kur akuzoi disa ish-komandantë të UÇK-së për keqpërdorime pasluftës.

E vetëm një javë pas këtij debati që ngjalli reagime të shumta, Krasniqi do të dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u gjykuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në të cilin Prokuroria e Shtetit dyshon se ai ishte pjesëmarrës.

Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se nesër në orën 9.00 fillon gjykimi ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar shqyrtimin kryesor për katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti për datën 22 gusht 2017. Këta janë akuzuar pa asnjë provë kredibile, kinse për rastin e sulmit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës”, ka njoftuar Gashi.

Sipas tij, akuzat ndaj aktivistëve të VV-së, janë inskenim, dhe se kjo është vërtetuar me zgjedhjen e Frashër Krasniqit deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ndaj Krasniqit dhe tre kandidatëve tjerë, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të 2016-s, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë më të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin terrorist të 4 gushtit të vitit të kaluar, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës. /Insajderi.com