
Nuk i ka mjaftuar fjalimi në seancën e Kuvendit për të drejtuar akuza ndaj koalicionit PAN, me theks të veçantë ndaj kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka vazhduar me deklarata e pyetje ndaj subjektit politik, AAK, duke kërkuar prej saj të tregojë se çfarë i premtoi Listës Serbe në këmbim të mbështetjes që ajo po i jep për formimin e Qeverisë.
“Mbase njëmend AAK nuk na e solli Listën Srpska në Kuvend (atë e sollën partnerët e saj të koalicionit të krimit). Por AAK pat kërkuar në fillim të këtij viti që Lista Srpska të shpallet nongrata dhe të përjashtohet nga Qeveria. Çka ndodhi tash që u bënë bashkë?!”, ka shkruar deputeti Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
“Në vend që me bë deklarata qesharake dhe me shpifje, le t’na tregon AAK së çka i premtoi Listës Srpska për mbështetjen që po ua jep?!”, ka pyetur ai.
Në këtë drejtim, deputeti Krasniqi ka folur edhe për Ukë Rugovën, djalin e presidentit Ibrahim Rugova, duke thënë se PAN-i nuk e ka telashe të takohet edhe me njerëz si ai, ndaj të cilit rëndojnë akuza të rënda.
“Listën Serbe“, nuk ua sollëm ne! Atë e gjetëm në mesin tuaj, dhe ju neokomunistët e këtij vendi, mos u thirrni në patriotizëm, sepse patriotizmi pa akte patriotike, që juve u kanë munguar gjithmonë, mund të jetë vetëm strehë horrash!”, thuhet në reagimin e AAK-së./Insajderi.com