Deputeti VV-së: Asociacioni është i papranueshëm për Kosovën

Deputeti VV-së: Asociacioni është i papranueshëm për Kosovën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, mendon se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është i papranueshëm për Kosovën, njofton Insajderi.

Kjo deklaratë e tij erdhi një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq – për të cilin takim Vuçiq tha se “Kurti nuk donte të fliste për Asociacionin”.

“Asociacioni është vazhdimësi e një ideje që shtyhet përpara nga Serbia që për fat të keq e ka pranuar edhe klasa politike në Kosovës. Implementimi i një strukture të tillë do të ishte shkatërruese për Kosovën. Dihet synimi asociacionit dhe prandaj është i papranueshëm”, ka thënë Abrashi.

“Kritika jonë për decentralizimin etnik ka qenë se nuk duhet të bëhet mbi baza entike dhe se nga kjo mund të del diçka tjetër. Parashikimet tona të çmendura sot janë realitet. Asociacioni është faza e dytë të një ideje që ka ardhur nga decentralizimi etnik”.

Kosova e Serbia u pajtuan për një tjetër takim në korrik. /Insajderi.com