Haskukaj: E turpshme tendenca e Sherifit për t’ia ndalur fjalën deputetit nga komuniteti egjiptian

Haskukaj: E turpshme tendenca e Sherifit për t’ia ndalur fjalën deputetit nga komuniteti egjiptian

Deputeti i Lëvizjës Vetëvendosje, Mytaher Haskukaj, e ka quajtur të turpshme siç thotë ai tendencën e deputetit të koalicionit PAN, Bilall Sherifi për t’ia ndalur fjalën deputetit nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha në takimin e sotëm konsultativ.

“Tendenca e deputetit Bilall Sherifi për t’ia ndaluar fjalën e deputetit Veton Berisha nga komuniteti egjiptian ishte e turpshme. Shikuar hollë e hollë Vetoni ka më shumë të drejtë të flas në këtë takim sesa Bilall Sherifi, fundja Vetoni është përfaqësues i një partie e cila ka garuar e vetme gjatë fushatës dhe ka fituar mandatin e tij, në anën tjetër Bilall Sherifi me 13 parti tjera kanë garuar në koalicion dhe sot pa pikë turpi në këto takime shkojnë me tre përfaqësues”.

Haskukaj përmes një shkrimi në Facebook, takimet konsultative i ka quajtur të jashtëligjshme dhe jo të rregullta.

“Së pari të them që ‘takimet konsultative’ të kërkuara nga PAN-i nuk janë të ligjshme, ato nuk parashihen as me kushtetutë e as rregullore, por këta janë mësuar që vendimet e rëndësishme ti marrin jashtë sallës së Kuvendit prandaj vazhdojnë me avazin e vjetër”, ka shkruar ai.

“Nëse PAN-i është një koalicion dhe në bazë të kësaj pretendojnë që janë grupi më i madh parlamentar ata në këto takime duhet të kenë vetëm një përfaqësues e jo tre ashtu si po abuzojnë. Prandaj edhe nga aspekti etik e edhe ai ligjor deputeti Veton Berisha ka më shumë drejtë të flas në këto takime sesa Bilall Sherifi”, ka përfunduar Haskukaj.