Deputetja e AKR-së: Do të votoj pro gjithmonë kur diqka është në interes të qytetarit

Deputetja e AKR-së: Do të votoj pro gjithmonë kur diqka është në interes të qytetarit

Mirlinda Sopi – Kransiqi, deputetja e vetme e Aleancës Kosova e Re (AKR), ka folur rreth raportimeve se grupi parlamentar i saj do t’i bashkohet Qeverisë Kurti.

Sopi Krasniqi ka thënë  se do të votojë pro gjithmonë kur është në interes të qytetarëve, shkruan Gazeta Insajderi.

“Në parim unë kam votuar pro qeverise dhe do të votoj pro gjithmonë kur diqka është në interes të qytetarit pamvarsisht a jam pozite apo opozitë”, ka thënë Sopi – Krasniqi, për Insajderin.

Ndërsa kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se asgjë nuk është e vërtet rreth këtij raportimi.

Asgjë nuk është e vërtetë. AKR nuk ka pasur takime me asnjë përfaqësues të koalicionit aktual dhe deri më tani nuk ka folur me askënd për përfshirjen e saj më këtë koalicion. Siç thashë para qytetarëve gjatë formimit të qeverisë së re, AKR do të mbetet në opozitë dhe do të jetë konstruktive dhe shtet-ndërtuese”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë për Gazetën Insajderi se AKR nuk do të jetë pjesë e kabinetit Kurti.

AKR-ja e cila është partia e vetme opozitare që e ka votuar qeverinë Kurti, Veseli ka thënë se ata nuk janë bllokues dhe se janë për interes të përgjithshëm.

“S’ka kurgjo. Ne përveç që e kemi votuar qeverinë, nuk e kemi votuar qeverinë për kurgjo, por parimisht e kemi votu për shkak se ka qenë vullnet i popullit dhe nuk jemi bllokues, jemi për interesin e përgjithshëm”, ka thënë Makolli për Insajderin.

Gjatë ditës së sotme u raportua që AKR do të bëhet pjesë qeverisëse. Kujtojmë që gjatë mandatit të kaluar qeverisës, AKR ka qenë pjesë e kabinetit të Ramush Haradinaj me ç’rast Behgjet Pacolli ka qenë zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme. /Insajderi.com