Deputetja e LDK-së: Tezja ime vdiq për shkak të reduktimeve të rrymës, ishte me oksigjenoterapi

Deputetja e LDK-së: Tezja ime vdiq për shkak të reduktimeve të rrymës, ishte me oksigjenoterapi

Reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë po dyshohet se i kanë marrë jetën një personi që po trajtohej me oksigjen.

Këto dyshime i ka bërë publike deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, e cila ka thënë se ka humbur tezën për shkak të reduktimeve të rrymës.

Siç ka treguar Bunjaku, tezja e saj ishte duke u trajtuar me oksigjen në shtëpinë e saj, dhe si pasojë e ndaljes së rrymës kishte mbetur pa oksigjen duke i shkaktuar kështu përkeqësim të gjendjes shëndetësore e cila më pas edhe ka vdekur.

“Mua para dy jave më ka vdekur tezja, ka qenë me oksigjenoterapi dhe ka qenë në shtëpi është ndalur rryma, derisa është ardhur ndihma e parë me marrë, ajo nuk ka mundur të rrijë asnjë moment pa oksigjen, ju ka përkeqësuar gjendja dhe ka vdekur”.

“Po kjo ka ndodhur bash për shkak të ndaljes së rrymës sepse ndalja e oksigjenit ia ka dëmtuar mushkëritë edhe më shumë derisa ne e kemi dërguar në spital të nesërme ka vdekur, ndoshta kjo nuk është shkaktari, por mjekët e kanë konstatuar”, ka deklaruar ajo në Kanal10.

Bunjaku mes tjerash ka thënë se sikur të mos kishte ndërprerje të energjisë elektrike, tezja e saj tashmë do të ishte gjallë./Insajderi.com