Deputetja e PDK-së adreson kritika ndaj Qeverisë për procesin e dialogut

Deputetja e PDK-së adreson kritika ndaj Qeverisë për procesin e dialogut

Ka nisur interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut lidhur me punën e grupeve teknike, njofton Insajderi.

Në pretencën  e saj, deputetja e PDK-së tha se dy pikat mbi të cilat thirret Qeveria Hoti sa i përket çështjes së dialogut, në njohjen e ndërsjellë dhe normalizimin e marrëdhënieve, janë duke u zbehur si qëndrim final.

“Dy pikat mbi të cilat thirret kjo Qeveri sa i përket çështjes së dialogut në njohjen e ndërsjellë dhe normalizimin e marrëdhënieve janë duke u zbehur si qëndrim final. Nuk kemi njohje edhe pse kishim garanci e zotime nga Qeveria Hoti. Normalizimi nuk është duke ndodhur me sjelljen e Serbisë e përgatitjen e Qeverisë së Kosovës, së pari në qartësimin e çështjeve, transparencës e pastaj edhe në kërkesa. Bisedimet çojnë në Bashkimin Evropian dhe çfarë do të bisedohet për të shkuar në BE kanë dallim, sepse këtu duhet të ketë dallim edhe në diskurs dhe planet e Qeverisë Hoti”.

Tutje Ismaili-Ahmeti tha se është e pafalshme se si Qeveria e Kosovës e lejon si temë të dytë çështjen e të pagjeturve.

“Personat e zhdukur janë përgjegjësi kryekëput e institucioneve serbe të cilat institucionalisht kishin dorë në zhdukjen e tyre, fati i të cilëve ende nuk dihet. Është e pafalshme se si kjo Qeveri e lejon si temë të dytë çështjen e të pagjeturve, krahas atyre të zhvendosur kur shteti ynë i ka kryer të gjitha obligimet. Kryeministri Hoti kishte deklaruar se çështja e të pagjeturve është temë kryesore në çfarëdo marrëveshje që arrihet për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pyes, cila është strategjia dhe platforma e Qeverisë Hoti në këtë aspekt, a ka aktualisht një të tillë”.

Deputetja Isamili – Ahmeti në fund e ka paraqitur edhe një mocion përmbajtjesor lidhur me cështjen e të pagjeturve./Insajderi.com