Deputetja e PDK-së: Besnik Bislimi votoi në qeveri për emërimin e nipit të tij në KShC

Deputetja e PDK-së: Besnik Bislimi votoi në qeveri për emërimin e nipit të tij në KShC

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për punësime partiake.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë e ka akuzuar pushtetin për emërime politike. E këtë rrugë të tyre, Hoxha tha se tani po e vazhdon edhe opozita e tanishme.

“Edhe ne do t’i shikojmë këto siç i kanë shikuar dhe ne po e bëjmë vetëm opozitën. Me udhëzimin administrativ që përcakton se si përzgjidhen anëtarët e KShC-së, e ku kriteret janë shumë të qarta, e pastaj edhe Komisioni që e ka përcaktuar ministrja Nagavci, pjesë e së cilës është edhe Rron Gjinovci e kanë pasur për detyrë që të shqyrtojnë aplikacionet dhe të rekomandojnë se cilët janë të nominuarit e duhur”, është shprehur ajo.

Më tutje, deputetja e PDK-së ka folur edhe për kushtet e emërimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Kushti i dytë ka qenë që të ketë gradën e doktorit, të ketë njohjen e diplomës nga MASh-i, të jetë shtetas i Kosovës, të ketë përvojë të paktën 10 vjet e të tjera. Janë kushtet të cilat janë vendosur për ata që nuk mund të zgjidhen anëtarë, e ku theksohet edhe konflikti i interesit. E kemi parë që është djali i zëvendëskryeministrit”, ka thënë ajo.

E për emërimin e nipit të tij, Gëzim Tosuni, në Bordin e KShC-së, Hoxha tha se ka votuar edhe vet zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Kjo listë e rekomandimeve që ka ardhur nga ministrja ka ardhur në qeveri dhe është votuar edhe nga vet zëvendëskryeministri. Edhe ai e ka ngrit dorën me votu. S’ka lidhje nëse e ka parë apo jo, sepse edhe mua mund të më dalin 50 kushërinj që ndoshta as si kam parë”, deklaroi deputetja e PDK-së./Insajderi.com