Deputetja e PDK-së fajëson Mustafën për murin: PDK-ja nuk do ta lejonte

Deputetja e PDK-së fajëson Mustafën për murin: PDK-ja nuk do ta lejonte

Disa javë pasi kreu i Partisë Demokartike të Kosovës ka shpeshtuar deklaratat për zgjedhje të jashtëzakonshme në shkallë vendi, deputetja e kësaj partie, Sala Berisha-Shala, ka dalë me një akuzë kundër partnerit të koalicionit LDK-së, në lidhje me murin e ndërtuar në veri të Mitrovicës.

Me një gjuhë elektorale, Berisha-Shala e ka lidhur ndërtimin e murit në Mitrovicë me postin e kryeministrit.

Sipas saj, po të ishte kryeministër dikush nga PDK-ja muri në Mitrovicë nuk do të ishte ndërtuar.

“ PDK-ja nuk do të lejonte, po cili do subjekt politik që ka marrë në dorë frenat e shtetit duhet me reagua, është një mur i ndërtuar ilegalisht”, ka thënë Shala në një intervistë për emisionin Fakt Plus.

Duke neglizhuar faktin se partia e saj dhe LDK-ja, kryetari i së cilës, Isa Mustafa mbanë postin e kryeministrit, janë së bashku në Qeveri dhe e drejtojnë atë në bazë të një marrëveshje të koalicionit, Berisha-Shala, ka thënë se për murin duhet të reagojë partia që ka marrë frenat e shtetit në dorë.

Kësisoj e ka akuzuar direkt LDK-në dhe Isa Mustafën.

Muri është ndërtuar gjatë javës së kaluar nga autoritetet lokale në Veri të Mitrovicës, sipas tyre pjesë e planit të marrëveshjes së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, gusht 2016.

Kjo ngjalli reagime të mëdha në Prishtinë dhe Beograd por edhe në Bruksel, duke dalë me deklarata kundërthënëse për rrëzimin apo jo të tij./Insajderi.com