Deputetja e PDK-së kërkonte rikthimin e dënimit me vdekje, shpërfillet nga Ministri i Drejtësisë

Deputetja e PDK-së kërkonte rikthimin e dënimit me vdekje, shpërfillet nga Ministri i Drejtësisë

Rrahja e djalit nga babai në Kamenicë që i kishte shkaktuar vdekjen 14-vjeçarit ishte bërë shkak që deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku të kërkojë rikthimin e dënimit me vdekje.

Por kjo kërkesë është e saj është shpërfillur nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili vije nga PDK-ja. Përmes një shkrimi në Facebook ai ka njoftuar se të hënën deputetët mund të votojnë Projekt Kodin e Ri Penal, i cili mes tjerash parasheh edhe dënimin për dhunë në familje, raporton Insajderi.

Por për dallim nga kërkesa e deputetes që kërkonte dënim edhe me vdekje, sipas këtij Projekt Kodi të Ri Penal, dënimi për dhunë në familje nuk mund të jetë më i lartë se me tri vite burgim.

“Jam i lumtur që ndryshimet që kemi sponzoruar, janë ndryshime që adresojnë përgjigjet ndaj nevojave konkrete të shoqërisë dhe institucioneve tona, në luftën kundër krimit, korrupsionit, abuzimit dhe cënimit të jetës, barazisë e pronës së qytetarëve tanë”.

“Ndër të tjera, dhuna në familje që shpesh herë ka cenuar integritetin dhe sigurinë e individëve, me këtë Projekt Kod, për herë të parë është përfshirë si nen i veçantë, në mënyrë që kushdo që ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cënimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, të dënohet me gjobë dhe burgim deri në tre vite”, ka shkruar gjatë ditës së sotme Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.

Ai shprehet i bindur se nëse Kodi i Ri Penal miratohet do të mundësonte siguri juridike si dhe mbrojtjen e jetës për fëmijët.

“Jam i bindur se miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, do t’i mundësojë institucioneve efikasitet të lartë kundër krimit, dhe do t’i mundësojë shoqërisë që të ketë siguri juridike në mbrojtjen e jetës, pronës dhe lirisë për të arritur progresin e dëshiruar”, ka shkruar Tahiri, raporton Insajderi.

Në anën tjetër një muaj më parë në Kamenicë një fëmijë 14-vjeçar kishte vdekur nga rrahja që i kishte shkaktuar prindi i tij. Ai e kishte rrahur për shkak se dyshonte se ia kishte shpenzuar një mijë euro, ndërsa nuk e kishte dërguar as për tretman mjekësor.

“Lajme si këto të bëjnë me deshtë dënimin me vdekje. Suedia shembull e ka nga dita e parë në çerdhe, edukimin për mbrojtje nga abuzimet e prindërve dhe kujdestareve, duke i mësuar fëmijët të lajmërojnë në polici edhe kur kërcënohen ose frikësohen me dënime”

“Edhe anëtarët e tjerë që i shohin këto veprime e nuk i lajmërojnë janë me faj se ekstremi nuk vjen në këtë mase pa qene i praktikuar edhe në anëtarët e tjerë paraprakisht. Tmerr”, kishte shkruar Izmaku./Insajderi.com