Deputetja e PDK-së përkrah idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve

Deputetja e PDK-së përkrah idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se do ta mbështesë idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” me Serbinë.

Ajo ka thënë se është për ruajtjen e integritetit territorial, por ka shtuar se është pro bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Jam për t’u bashkuar Lugina me Kosovën sepse ishte gjithmonë pjesë e jona. Po e them sinqerisht as kur ka nisur lufta nuk ka besuar askush që do të ndodhë lufta. Jam e prirur t’i besoj gjërave që dua. Presidenti Thaçi e ka përkrahjen time maksimale për këtë çështje. Nuk e kundërshtoj në asnjë moment bashkimin. S’mund të realizosh diçka kur e nis me mosbesim. Çdo punë duhet të niset me besim. Nëse s’besojmë që Kosova Lindore mund të bashkohet me Kosovën do të mbesim vetëm duke e diskutuar. Personalisht do ta mbështes idenë e presidentit për bashkimin e atyre tri komunave me Kosovën. Unë pres që Serbia ta njohë sa më shpejtë Kosovën. E kam thënë midis Beogradit, sa më shpejtë që Serbia e bën të qartë realitetin aq më mirë do t’i ketë punët”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Musliut, “pa i prekur kufijtë nga pak nuk do të ndodhë bashkimi kombëtar”.

E pyetur nëse beson që Thaçi do të dialogojë për shkëmbim territoresh Musliu ka thënë se “Thaçi e ka dëshmuar veten në të gjitha etapat që ka pasur nevojë vendi dhe s’duhet të flitet më për këtë çështje”.

Për rezolutën e propozuar nga opozita me pikën e vetme se “territori i Kosovës është një dhe i pandashëm dhe se për kufijtë e saj nuk ka mandat të dialogojë askush, përfshirë presidentin”, Musliu ka thënë se s’ka asgjë kundër kësaj pike, por pozita ka dashur t’ia shtojë edhe gjashtë pika tjera. Ka shtuar se pret që opozita të reflektojë dhe të harmonizojë qëndrimet me partitë tjera para seancës së nesërme.