Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi, ka reaguar për ndarjen e 36 banesave për serbët e në Mitrovicën Veriore, njofton Insajderi.
Për këtë situatë, Idrizi ka fajësuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti dikur dhe atë që tashmë është në detyrë të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
“Edhe sot u ndanë 36 banesa pa leje në Komunën Veriore të Mitrovicës për qytetarët nga Serbia, çifteve të reja të martuara, personave të zhvendosur brenda vendit. Pra vetëm për serbët. Këto banesa që u dhanë sot, ishin ndërtuar gjatë 2020-s, në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ku banojnë edhe shqiptarët”.
“Unë shumë herë i kam alarmuar në Parlament të dyja qeveritë: të Kurtit dhe Hotit, për ndërtimet e mëdha e pa leje që Serbia po i bën në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Zveçan, duke e bërë shpopullimin e shqiptarëve”, ka shkruar deputetja e PDK-së në llogarinë e saj në Facebook.
Tutje, ajo është shoprehur se Serbia pa asnjë pengesë po realizon planet për spastrim etnik të shqiptarëve, ndërsa thotë se krahas kësaj, Qeveria e Kosovës po heshtë.
“Anipse vetëm gjatë 2020-s, u dhuruan qindra banesa, u ndërtuan dhjetëra ndërtesa kolektive shumëkatëshe, qindra shtëpi, qeveritë tona heshtën. Le që heshtën, por as nuk bënë as më të voglin hap që të sigurojnë buxhetin minimal për të kthyer banorët shqiptarë në shtëpitë e veta, e as trysni në komunën e veriut që t’u ipen atyre lejet për rindërtim”.
“Duhet veprime konkrete e jo populizma e fjalë se janë lodhur njerëzit duke jetuar si të huaj në qytet të vetin, sepse Serbia pa asnjë pengesë po e realizon planin për spastrim etnik të shqiptarëve, e qeveritë tona heshtën. Turp!”, ka shkruar tutje Idrizi./Insajderi.com