Deputetja e PSD-së ka një kërkesë për Shpend Ahmetin, pas vendimit për udhëheqjen e dialogut

Deputetja e PSD-së ka një kërkesë për Shpend Ahmetin, pas vendimit për udhëheqjen e dialogut

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë se përgjegjësia e plotë për dialogun me Serbinë do t’i takojë Ekipit Negociator të zgjedhur të shtunën nga Kuvendi i Kosovës.

Në Express të KTV-së, Pantina ka thënë se ekipi që do të ketë dy kryesues, Shpend Ahmetin e PSD-së dhe Fatmir Limajn e Nismës, do të udhëheqë dialogun, ndërsa marrëveshjet që mund të arrihen duhet të marrin mbështetjen e Kuvendit.

“E gjithë përgjegjësia për dialogun i takon ekipit. Nuk e di cili do të jetë ekipi që përfaqëson Serbinë. Ekipi i Kosovës do të ketë dy drejtues. Ahmeti e Limaj dhe secili anëtarë do të ketë rol të vetin. Presidenti ka përgjegjësitë e veta të caktuara në kushtetutë, por dialogu do të udhëhiqet nga ekipi negociues. Më në fund po kthehet nën mbikëqyrjen e Kuvendit”, ka thënë Pantina duke shtuar se “nuk e di se çfarë do të bëjë presidenti Hashim Thaçi, por që Kuvendi me shumicë votash ka vendosur që dialogu të drejtohet nga ekipi që ai ka votuar”.

Ajo nuk ka përjashtuar bashkëpunim me presidentin e kryeministrin, por ka shtuar se edhe brenda Ekipit Negociator duhet që çdo vendim të merret me konsensus.

Sipas Pantinës, rezoluta e votuar të shtunën dallon nga të tjerat sepse në të është paraparë që të bëhet ligji. Ka thënë se në fund të procesit të dialogut, Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet e që Kosova të anëtarësohet në OKB.

Sa i përket dominimit të gjinisë mashkullore edhe në këtë ekip, Pantina ka thënë se shpreson që të paktën dy vendet e zbrazëta të mbahen nga gratë.

Pantina: Ahmeti si menaxher i mirë të delegojë punët e komunës te nënkryetarët

Duke komentuar fjalët e shumta se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk mund të ushtrojë detyrën e tij pasi të marrë rolin e bashkëkryesuesit të Ekipit Negociator, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ka thënë se një menaxher i mirë duhet të dijë të delegojë detyra te ekipi i tij.

“Një menaxher i mirë është ai që di të delegojë detyra te ekipi i vet. Ka ekip profesional. Ka dy nënkryetarë që mund t’ua delegojë punët që s’mund të mbërrijë t’i kryejë gjatë angazhimit të tij. Nuk do të ketë asnjë lloj mungese të Ahmetit për shkak të angazhimit të tij të ri. Kryetari duhet të jetë menaxher që di edhe të delegojë detyrat”, ka thënë ajo.

Pantina ka shtuar se si PSD nuk do t’i bashkohen Qeverisë Haradinaj.