Deputetja e PDK-së kërkon shkarkimin e Driton Selmanajt

Deputetja e PDK-së kërkon shkarkimin e Driton Selmanajt

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka kërkuar nga kryeministri Hoti, që ai t’a shkarkojë zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, pas emailit që ky i fundit e ka dërguar, te Komisioni i të Drejtave të Njeriut, në kërkesën së tyre, që të raportohej se çfarë është negociuar me Serbinë – me interes të veçantë për të pagjeturit e luftës.

“Ne kur e kemi ftuar e kemi ditur se çfarë agjende ka kryeministri, prandaj e kemi ftuar zëvendëskryeministrin. Në e-mailin që zëvendëskryeministri na e ka dërguar, pasi i kemi shkruar dy herë, thoshte se tema e të pagjeturve dhe dialogu është konsumuar në Kuvend, pasi ka raportuar kryeministri për disa orë.  Ai tha se nuk e sheh të momentit për ta diskutuar këtë çështje. Zëvendëskryeministri e mohoi dhe u mundua të arsyetohej. por pas leximit të e-mailit ai qëndrim nuk ishte i dinjitetshëm për një zyrtar të lartë publik”, transmeton Insajderi.

Sipas, Ismailit, shkarkimi i Selmanajt, do të ishte një urë e re për bashkëpunim në mes pozitës dhe opozitës.

“Nëse kryeministri Avdullah Hoti do ta shkarkonte zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj do të ishte një akt i ndërtimit të besimit me opozitën dhe me të gjithë qytetarët të cilën ky kryeministër nuk e ka. Po ta shkarkonte, gjë të cilën shpresoj se do ta bëjë, fakti që proklamon përgjegjësi dhe transparencë ndoshta do të ishte një argument më shumë në anën e tij”, shtoi ajo.

Deputetja Besa Ismaili, ishte iniciuesja e sotme e interpelancës të kryeministrit Avdullah Hoti për çështjen e dialogut me Serbinë, por në fund ajo tha se nga kjo interpelancë, ata dolën “duarthatë”./Insajderi.com.