Deputetja e VV-së: Arrestimi i Gjuriqit ishte për interesat e Hashim Thaçit

Deputetja e VV-së: Arrestimi i Gjuriqit ishte për interesat e Hashim Thaçit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbërie Nagavci ka theksuar se arrestimi i Gjuriqit dhe zhvillimi i ngjarjeve më tutje është një skenar i përgatitur më parë.

Ajo në një intervistë për Telegrafin ka thënë se arrestimi i zyrtarit serb, Marko Gjuriq dhe rrjedha e ngjarjeve që kanë pësuar më pas, janë bërë për interesa personale – konkretisht kjo është bërë në interes të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Përcjellja e gjithë kësaj ngjarje, respektivisht e këtij aksioni në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mediat dhe prodhimi i një spektakli me Gjuriqin e arrestuar duke ecur rrugës, mendoj se flasin se gjërat kanë qenë të paramenduara më parë”, ka shtuar Nagavci.

Sipas saj, ndonëse ende nuk i kemi kuptuar të gjitha elementët e këtij skenari, ajo që ndodhi të hënën do të duhej të ishte gjë e zakonshme në një shteti ligjor, duke shtuar se arrestimi i Gjuriqit ishte paralajmëruar disa orë më parë edhe nga mediat serbe, gjë që bën të rritet dyshimi se ka një inskenim të situatës.