Deputetja e VV-së e shtrirë në QKUK, shtyhet gjykimi ku ajo dhe pesë të tjerë po akuzohen për korrupsion

Deputetja e VV-së e shtrirë në QKUK, shtyhet gjykimi ku ajo dhe pesë të tjerë po akuzohen për korrupsion

Për shkak të problemeve shëndetësore të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmirë Vrenezi, ka dështuar të hënën të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku ajo dhe pesë të tjerë po akuzohen për vepra penale të korrupsionit.

Avokatja Flaka Gutaj e ka njoftuar gjykatën se mbrojtura e saj, Jetmirë Vreneze, ka probleme shëndetësore dhe është e shtrirë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të të akuzuarës Vrenezi, kryetarja e trupit gjykues Kymete Kicaj e ka shtyrë gjykimin dhe ka caktuar datat e reja për seancat e radhës më 16 shtator 2021 dhe 04 dhe 14 tetor 2021.

Islam Thaqi, Jetmire Vrenezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, pasi sipas prokurorisë, ata kishin tejkaluar kompetencat e tyre në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Insajderi.com