Deputetja e VV-së paralajmëron protesta nëse Rikalo nuk shkarkohet

Deputetja e VV-së paralajmëron protesta nëse Rikalo nuk shkarkohet

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj Bujupi ka paralajmëruar protesta në rast se nuk shkarkohet ministri serb i Bujqësisë, Nenad Rikallo, i cili u akuzua nga dhjetëra qytetarë se ka ushtruar dhunë gjatë kohës së luftës, shkruan Periskopi.

Ajo më tej iu drejtua kryeministrit Haradinaj, të cilit i kërkoi që të mos e mbrojë më Rikallon, por ta shkarkojë atë dhe ta zëvendësojë me dikë tjetër.

“Sot këtë interpelancë e kemi thirr për shkak të supozimeve për vepra kriminale gjatë luftës në Kosovë. Nuk duhet me bë avokatin në një situatë të tillë. 20 qytetarë dëshmuan për krime të rrahjeve brutale e të plaçkitjeve”.

“Të gjithë jemi dëshmitar se institucionet kanë dështuar në grumbullimin e fakteve për krimet e luftës. Mbi 20 mijë gra të dhunuara në Kosovë. Kriminelët hynë e dalin nga Kosova pa u verifikuar emrat e tyre madje. Kush është duke u ndjekur për këto krime”.

“Është e njëjta me rastin e ministrit Rikallo. Kjo nuk ju jep të drejtën që ta mbani ministër pas deklaratave të dëshmitarëve. Shkarkoni Rikallon, pasi 20 qytetarë e kanë denoncuar. Shkarkoni e zëvendësoni me dikë tjetër. Nëse nuk e bëni, do të jeni përgjegjës për protestat e pasojat tjera”, tha Kadaj Bujupi në seancën e kuvendit të Kosovës.