Deputetja e VV-së që i doli në krah Dërgutit, komenton letrën e Albin Kurtit

Deputetja e VV-së që i doli në krah Dërgutit, komenton letrën e Albin Kurtit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka treguar përse nuk mori pjesë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Vetëvendosjes.

“Unë nuk kam qenë në Prishtinë dhe e kam pasur të pamundur të marrë pjesë”, ka pohuar ajo, duke shtuar se nuk ka qenë dakord as me mënyrën se si u thirr dhe si u mbajt mbledhja.

Ajo ka komentuar edhe letrën e Albin Kurtit e shkruar nga burgu. Ka thënë se ish-kreu i partisë nuk i ka të gjitha informatat se çfarë po ndodhë brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“Albini nuk i ka të gjitha informatat. Letra e tij nuk prodhoi ndonjë zgjidhje të problemit, ne kemi pasur diskutime të gjata me Albinin dhe ai gjithmonë ka thënë se ai parapëlqen që diskutimet të bëhen fytyrë me fytyrë”, ka thënë Pantina për Klan Kosova.

Pantina ka folur edhe për atë se a ekzistojnë grupe brenda VV-së dhe cilit grup i takon ajo.

“Unë nuk besoj se në Vetëvendosje ka krahë. Ka njerëz që kanë shqetësimet e tyre në lidhje me atë si funksionin Vetëvendosje dhe insistojnë për një demokraci të hapur dhe një nga këtë njerëz jam edhe unë”, ka thënë ajo.

Pantina beson se “ka edhe një grup tjetër që mendon se figura e Albinit e përfaqëson Vetëvendosjen dhe ne të tjerët vetëm duhet ta ndjekim prapa”.

Pantina ishte njëra nga deputet e para që i kishte dalë në krah Aida Dërgutit, pas publikimit të bashkëbisedimit të deputetes vushtrriase me anëtarët e tjerë të partisë, ku ofendoi Albin Kurtin. /Insajderi.com