Pasi deputetja e Kuvendit të Kosovës nga koalicioni Vakat, Duda Balje u është referuar sot komunave serbe në veri si "komuna të Republ" />

Deputetja e VV-së që ka humbur familjen gjatë luftës komenton deklaratën e Duda Baljes

Deputetja e VV-së që ka humbur familjen gjatë luftës komenton deklaratën e Duda Baljes

Pasi deputetja e Kuvendit të Kosovës nga koalicioni Vakat, Duda Balje u është referuar sot komunave serbe në veri si “komuna të Republikës së Serbisë”, ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Saranda Bogujevci.

Bogujevci ishte e pranishme në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në të cilin Duda Balje është kryetare.

Në këtë mbledhja, derisa po raportonte Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, duke kaluar në pikën tjetër të rendit të ditës për raportim, katër komunave me shumicë serbe në veri Duda Balje u është referuar si komuna të Serbisë.

“Si pika e dytë është lidhur me diskutimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuara në katër komunat veriore të Republikës së Serbisë”, ka thënë ndër të tjera deputetja Balje.

E këtë deklaratë të Baljes, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci thotë se e ka dëgjuar dhe e ka korrigjuar.

“Po, e kam dëgjuar dhe e kam korrigjuar. Ajo ka bërë një gabim”, ka thënë Bogujevci për Gazetën Online Insajderi. “Unë nuk e kam pas mikrofonin lëshuar, do të thotë që nuk është dëgjuar”.

Bogujevci është njëra prej të mbijetuarave të masakrës së familjeve Bogujevci e Duriqi. Me datë 28 mars 1999, u vranë 14 anëtarë të këtyre familjeve në ditën kur Serbia festonte ditën e shtetësisë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk i reaguan koleges së tyre nga koalicioni Vakat, Duda Balje, kur ajo iu referua Zubin Potokut, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit dhe Zveçanit si komuna të Serbisë. /Insajderi.com