Deputetja e VV-së reagon ndaj vendimit të kryeministrit Haradinaj në favor të këshilltarit të tij

Deputetja e VV-së reagon ndaj vendimit të kryeministrit Haradinaj në favor të këshilltarit të tij

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj nuk është patriot nëse merr vendime për interesa private dhe klienteliste, teksa ka reaguar ndaj vendimit të kryeministrit për ta hequr akcizën për duhan.

Insajderi ka raportuar sot se Qeveria e Kosovës ka hartuar një dokument me të cilin synon të heqë akcizën për duhan.

Nëse ky dokument i qeverisë kalon në Kuvend, përfituesi më i madh do të jetë këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Gazmend Abrashi, i cili po ashtu është nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kryeministri Haradinaj nga njëra anë dërgon letra ku përbetohet për taksën 100% me Serbinë e nga ana tjetër bashkë me partnerët e tij shtyn uljen e akcizës së duhanit e cigareve, vendim ky nga i cili përfiton vetëm kompania e këshilltarit të tij e që është dhe nënkryetar i AAK-së”, ka shkruar Nagavci.

“Nuk je patriot e as s’ta merr kush seriozisht patriotizmin kur për çdo ditë e merr nga një vendim për interesa private e klienteliste. Edhe pazare edhe shtet nuk ka”, ka thënë ajo.

Fabrika e vetme që merret me prodhimin e cigareve në Kosovë është “Premium Tobacco Group”, në pronësi të Abrashit, shkruan Insajderi.

Ai e ka privatizuar fabrikën e Duhanit në Gjilan, në vitin 2013 pas një varg dështimesh për ri-aktivizimin e saj. /Insajderi.com