Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka dekoruar, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave punonjësit shëndetësorë, të cilët derisa ishin në vijën e parë të luftës me pandeminë janë infektuar me COVID-19 dhe kanë humbur jetën.
Një veprim të tillë e sheh si lajm shumë të mirë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu.
“Ishte një lajm i mirë, por jo i befasishëm për neve, sepse kemi pasë koordinim me zyrën e presidencës. Një iniciativë shumë e mirë dhe mendoj se së paku kjo është një shprehje e mbështetjes më të madhe që mund t’i jepet mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë në luftën me pandeminë”.
Sejdiu ka treguar se që nga fillimi i pandemisë e deri tani janë mbi 750 mjekë që janë infektuar nga COVID-19.
“Në tri javët e fundit është rritur numri i mjekëve të infektuar që është në proporcion me rritjen e infektimeve të popullatës. Në këtë moment, sipas informatave të ditës së djeshme, kemi mbi 70 mjekë që janë të izoluar. Është një numër goxha i madh, duke pasë parasysh që një pjesë e tyre që kanë qenë të infektuar, por nuk janë plotësisht të shëruar për punë aktive, atëherë ky numër arrin në mbi 100 dhe kjo është një hendikep shumë i madh kur kemi parasysh që shumica e tyre janë vërtetë të ‘fronit të parë’ – që merren direkt me shërimin e pacientëve me COVID-19. Është një hendikep në gjithë këtë luftë”, ka thënë Sejdiu, për Klan Kosova.
A mund të shkaktojë mungesa e stafit telashe në trajtimin e pacientëve me coronavirus?
“Krahët e vetë QKUK-së janë spitalet rajonale dhe ne e kemi ditur që nga fillimi se këta janë krahë të dobët për shkak të mungesës në numër të specialistëve të lëmive që do të duhej të merreshin me këtë luftë, prandaj është mbingarkesë QKUK-ja”.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës ka thënë se trajtimi i mjekëve dhe stafit tjetër shëndetësor nga qeveria lë shumë për të dëshiruar.
“Nuk mund të themi se çdo gjë është në rregull, por nëse konsiderojmë pozitën në të cilën është vetë Qeveria e Kosovës, atëherë mund të pranohet që është trajtim fer, por mendoj që gabimet e mëdha në nivel të qeverisë, të teknokratëve që janë marrë me organizimin apo rrjedhën e menaxhimit të pacientëve, është humbur një kohë e artë e ‘armëpushimit’ me virusin gjatë muajit shtator dhe nuk është bërë një përgatitje e mirëfilltë, pasi pritej se do të ndodhë kjo që po ndodh gjashtë javët e fundit”.
Ai ka folur edhe për shtesat prej 300 eurosh, që janë ndarë nga qeveria, që mjekët nuk i kanë marrë për muajin shtator.
“Kjo tregon për mosorganizim të mirëfilltë, sepse që nga aprovimi i ligjit për luftën ndaj pandemisë COVID-19 është dashur të fillojnë që atëherë përgatitjet logjistike që punëtorë shëndetësorë t’i kenë që nga muaji shtator shtesat për rrezikshmëri. Muajt shator dhe tetor kanë shkuar, derisa edhe muaji nëntor është gati në përfundim, atëherë krejt çfarë mbetet është të shpresojmë që t’i marrim para Vitit të Ri, por kjo është joserioze. Kjo është një dëshpërim, por jo demotivim për punën – mjekët dhe punëtorët tjetër shëndetësorë do ta kryejnë punën, pavarësisht çalimeve në përmbushjen e premtimeve të qeverisë. Ne jemi të përkushtuar ndaj pacientit dhe jo në atë se çfarë do të na sjellë Babadimri”, ka thënë Sejdiu./Insajderi.com