Derisa po “luftohet” për postin e kryeparlamentarit, ja çfarë bën Konjufca

Derisa po “luftohet” për postin e kryeparlamentarit, ja çfarë bën Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, po merr pjesë në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur në Bruksel.

Në këtë Samiti, të organizuar dhe kryesuar nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, përpos kryeparlamentarit Konjufca, po marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shefat e grupeve politike të Parlamentit Evropian, si dhe reporterët e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Në punimet e këtij Samiti, ndër çështjet kryesore që po diskutohen janë: bashkëpunimi parlamentar dhe e ardhmja e Evropës, me theks të veçantë  procesi i zgjerimit të saj.

Parlamenti Evropian ka mbetur mbrojtësi i palëkundur i perspektives evropiane për Ballkanin Perëndimor, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur në Bruksel.

Kryeparlamentari Konjufca, para të pranishmëve kishte folur për  suksesin e procesit të  zgjedhjeve në Kosovë, dhe u shpreh se pas konstituimit të Kuvendit, Kosova  së shpejti do të ketë edhe Qeverinë e re.

”Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta në rrugëtimin e saj evropian. Pavarësisht nga arritja e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne nuk kemi shkuar drejt statusit të vendit kandidat. Kanë kaluar 96 muaj nga kur e kemi filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe sot ne mbesim vendi i vetëm që nuk është liruar nga regjimi i vizave në zonën e Schengen-it është shumë zhgënjyese për qytetarët e Kosovës ndjenja e të qenit të izoluar”, kishte thënë Konjufca.

Në fjalën e tij me këtë rast Konjufca, foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se e kuptojmë plotësisht rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, që lehtësohet nga BE-ja. Lidhur me këtë ai deklaroi se Qeveria e re do të ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ai po ashtu foli edhe për pritjet e qytetarëve nga Qeveria e re, duke thënë  se qytetarët presin rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura me Serbinë dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike.

Tutje, ai foli edhe për zgjerimin e BE-së, përkatësisht integrimin e shteteve të Ballaknit Perëndimor.

”Ne inkurajojmë hapjen e negociatave sa më parë të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne besojmë se Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë qellim”./Insajderi.com