Dëshmia e Shaip Mujës rreth licencimit të klinikës “Medicus”, ku u kryen transplante ilegale të veshkave

Dëshmia e Shaip Mujës rreth licencimit të klinikës “Medicus”, ku u kryen transplante ilegale të veshkave

Ish-deputeti Shaip Muja, në kohën kur klinika famëkeqe “Medicus” bënte transplante ilegale të veshkave, ishte këshilltar për shëndetësi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Muja sot në cilësinë e dëshmitarit ka rrëfyer para gjykatës për punën e tij dhe kontaktet që i kishte me mjekun e dënuar me burg për po këtë rast, Lutfi Dervishin. Ai i tregoi gjykatës se ishte takuar edhe me mjekun turk Yusuf Sonmez, i njohur si “Dr. Vampiri”. Muja, në seancës gjyqësore të së martës, foli edhe për takimin që e pati me ish-ministrin e Shëndetësisë Alush Gashi, në një restorant në Prishtinë, ku kishin folur edhe për licencimin e “Medicusit”. Gazeta Express, ka përcjellë gjykimin e sotëm, ku dëshmoi ish-deputeti i PDK-së.

 

Pavarësisht përmasave të krimit, rasti “Medicus” tashmë është kthyer në pikën zero me vendim të Gjykatës Supreme. Tani, Gjykata Themelore në Prishtinë është e obliguar t’i thirr të gjithë dëshmitarët e këtij rast, përfshirë edhe ish-këshilltarin për shëndetësi të kryeministrit atëkohë dhe ish-deputetin e Kosovës, Shaip Muja. Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Muja, në fillim të gjykimit të martën tha se i qëndron mbrapa deklaratës së tij të parë të dhënë më 2012 para gjykatës, derisa sot u ballafaqua edhe me pyetje të reja nga ana e prokurorisë së EULEX.

Shaip Muja u pyet për raportet e tij dhe kontaktet që i ka pasur me pjesëtarin e të ashtuquajturit Komisioni i Etikës në “Medicus”, Shkelzen Syla. Vlen të theksohet se Syla është vëllai i gruas së Lutfi Dervishit dhe kushëri i afërt i Azem Sylës. Atëkohë, Syla ishte sekretar i përhershëm i Ministrisë së FSK-së.

Për Sylën, Shaip Muja tha se e njeh sepse vijnë nga i njëjti regjion dhe me të ishte takuar në vitin 1999 dhe 2001, pasi që të dy ishin pjesë e batalionit 14 të mjekësisë së UÇK-së.

Shaip Muja në cilësinë e dëshmitarit për rastin “Medicus”

“E kam takuar pas luftës në Kosovë, ka qenë në formacionin e UÇK-së, ai është propozuar të jetë shef i shtabit”, tha Muja, duke shtuar se me të apo me familjarët e tij nuk është takuar ndonjëherë në ndonjë “dalje-hyrje” private. Por, kur u pyet për Lutfi Dervishin, Muja tha se me të ishte takuar në vitin 2007, kryesisht në raste të cilat i kanë lidhur me shëndetësinë, “në QKUK dhe në klinikën e tij private”.

Në deklaratën e dhënë para gjykatës në vitin 2012, Shaip Muja kishte thënë se në kohën kur është hapë klinika “Medicus” ka qenë i informuar për kërkesën që e ka bërë kjo klinikë për ta marrë licencimin për hapje. E për këtë çështje, sot Muja tha se, aq sa i bie ndërmend, fillimisht klinika është hapë për kontrolle urologjike dhe kardiokirurgji, duke thënë se atëkohë ishte klinika e parë në Kosovë për kardiokirurgji.

Lidhur me rastin “Medicus” kujtojmë një letër publike që e kishte bërë ish-sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj për Shaip Mujën. Tolaj ka thënë se Shaip Muja kishte bërë udhëtime të shpeshta në Izrael në kohën kur ishte këshilltar i kryeministrit, për siç kishte shkruar “herë për gjoja çështje të shëndetësisë e herë për gjoja çështje të sigurisë së Kosovës”.

“Flitej për shuma marramendëse të të hollave që paguheshin për këto intervenime. Në opinion nuk është i panjohur as fakti i udhëtimeve të shpeshta zyrtare të Shaip Mujës në Izrael, herë për gjoja çështje të shëndetësisë e herë për gjoja çështje të sigurisë së Kosovës”- kështu shkruante në një letër publike Ilir Tolajt.

Në seancën gjyqësore Shaip Muja konfirmoi dy gjëra: se e njihte Yusuf Sonmez dhe se kishte thirrur deri në Ministrinë e Shëndetësisë për t’u interesuar nëse “Medicus” do të licencohej. Për licencimin e kësaj klinike, Muja dhe ish-ministri i shëndetësisë Alush Gashi kishin biseduar në një restorant në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.

“Unë i kam thënë ministrit që Lutfiu më ka kontaktu dhe është ankuar se kërkesa e tij s’po konsiderohet. Ministri më ka thënë që do ta shikojë kërkesën dhe do të veprojë në rrethana ligjore. Unë në kapacitetin e këshilltarit, s’kam pas të drejtë as të marrë vendime dhe as të urdhëroj, por është normale që kemi diskutuar këto çështje”.

Në deklaratën e dhënë më 2012, Muja kishte dëshmuar se e kishte kontaktuar Lutfi Dervishin përmes telefonit derisa ishin me ministrin në restorant dhe i kishte thënë se nëse i plotëson standardet ai mund të marrë një licencë për shërbime urologjike.

“Mund t’i kem thënë, por tash s’më kujtohet. Nuk po e shoh relevante, jo vetëm Lutfiu, por të gjithë duhet t’i plotësojnë standardet sipas ligjit”, u përgjigj ish-deputeti.

Në seancën e sotme Muja përmendi edhe një rast të një 13-vjeçari nga Gjilani, që kishte nevojë për transplantim të organit. Shaip Muja për këtë rast tha se Zyra e Kryeministrit atëkohë e kishte pranuar një kërkesë nga prindërit e këtij fëmiju lidhur me transplantim të veshkës.

“Po, m’duket se më kujtohet që ka qenë ky rast, kjo punë i ka tash 10 vjet, por ka pas raste shumë atëkohë, nuk ishte ky i vetmi. Duhet përmendur se janë mbi 110 persona që kanë nevoje për transplantim të organeve çdo vit. Atëkohë, ne i kemi orientuar në spitalin kryesor të Kosovën, por tash nuk e di procedurën ku kanë bërë transplante”, tha Muja.

I pyetur nga prokurorja Valeria Bolici se me kë ka kontaktuar Muja lidhur me rastin e fëmiut nga Gjilani, krejt çka tha ai ishte se ky fëmijë, sa e mbanë mend, ka qenë edhe me sëmundje diabetike dhe sëmundje të komplikuara, “normal qe e kam kontaktuar Lutfi Dervishin dhe kam kërku një kontroll ose që ai ta orientojë se si mund të trajtohet ky rast në QKUK. Sa e di unë, atje kanë bërë vizita, por nuk e kam përcjellë rastin e tij”.

Muja tregoi se në vitin 2007 ishte aktivizuar në parti politike dhe është munduar që brenda PDK-së të bëjë një strategji për planifikim dhe menaxhim të shëndetësisë në kuadër të partisë.

“Në atë kohë ne i kemi bërë disa strategji që të plotësohen shërbimet në kuadër të QKUK-së ose në kuadër të sistemit shëndetësor, që në këtë rast hyn edhe sistemi privat, për qëllim të ngritjes së kapacitetit si në kardiokirurgji, e cila nuk funksiononte siç duhet, transplant të organeve, kryesisht për veshka, pasi pacientët ishin të shumtë dhe nuk gjetën shërbime këtu ose në rrugë private”, tha sot Muja në cilësinë e dëshmitarit.

Në kuadër të kësaj që tha Muja, tregoi se Lutfi Dervishi pati shprehur gatishmërinë e vet se mundet të organizojë dhe të përgatitë privatisht ekip që të bëjë transplant të organeve që, sipas Mujës, atëkohë duhej të kishte shërbime të tilla shëndetësore.

Ai tha se sa i përket kryerjes së transplantit të veshkave në shërbime private, nuk ka kontaktuar specifikisht më ministrin e Shëndetësisë në atë kohë, pasi sipas tij, ka pasur raste të tjera më me urgjencë për të cilat kanë diskutuar më specifikisht.

“Jo në mënyrë specifike ose siç dëgjoj duke u interpretuar nga llafet, por ne kemi biseduar me ministrin kur ai ka nisë punën. Unë në kapacitetin e këshilltarit në atë kohë, është dashtë t’i di aktivitetet e sektorit shëndetësor”, tha Muja.

Muja tha se për shkak të numrit të madh të kërkesave për transplantim, Lutfi Dervishi kishte shpreh interes që trajnimet e mjekëve për të kryer transplantim nuk mund të bëhen në QKUK, atëherë ato mund të kryhen në klinikën e tij private. Për shkak të të njëjtës arsye, ai tregoi se atëkohë kishte filluar një procedurë për përgatitjen e një udhëzimi administrativ sa i përket transplantit të organeve.

“Ministria e Shëndetësisë në mungesë të lejimit nga ligji i shëndetësisë për transplantim të organeve, ka pasur mundësinë që të përdorë hapësirën e vet ligjore deri në formimin e ligjit apo amandamentimin e tij, që të japin licenca provizore në rast të ndonjë urgjence”, tha Shaip Muja, derisa ceku se në vitin 2014 është tentuar të futet ky ligj në shqyrtim në Kuvend, por siç tha ai, EULEX u ka bërë presion deputetëve që të mos futet ky ligj, “…e për çfarë arsye nuk e di”.

Muja tha se i ka thënë Lutfiut që ta ndjek rrugën ligjore dhe të plotësojë dokumentacionin, e që më pas stafi i ministrit do ta analizojë.

Në vitin 2008, djali i Lutfi Dervishit, Arban Dervishi i cili gjithashtu është i akuzuar nga Prokuroria për përfshirje në rastin e “Medicus”, ishte martuar. Në këtë dasmë, Muja tha se ishte i pranishëm, ashtu siç ishin të pranishëm edhe shumë fytyra publike atë kohë, duke përfshirë edhe presidentin e Kosovës. Në këtë dasmë, Muja tha se u takua edhe me mjekun Yusuf Sonmez. Për Sonmezin, ai tha se ishte informuar se ai ishte pjesë e stafit që Lutfiu po e përgatiste për klinikë urologjike dhe për nevoja të transplanteve.

“Sa e di unë ka qenë për urologji dhe çdo doktor i mirë i fushës kirurgjike që është edhe urolog, është i edukuar edhe për transplante të organeve. Për mua, një urologjist mund të jetë i përgatitur edhe për transplante dhe për ndërhyrje të rënda, sepse e ka edhe thirrjen e tillë”, tha Muja.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se Shaip Muja, Yusuf Sonmez dhe Shkelzen Syla u njohën mes vete përmes Lutfi Dervishit. Muja dhe Syla kishin takuar mjekun turk Yusuf Sonmez në dasmën e djalit të Lutfi Dervishit, Arban Dervishi, në vitin 2008.

Shkelzen Syla ishte gjithashtu pjesë e një të ashtuquajturi Komisioni i Etikës në “Medicus”. Pjesë përbërëse e tij ishte edhe avokati Flamur Bogaj, dëshminë e të cilit Gazeta Express ka kishte publikuar më 18 tetor 2017 dhe Arban Dervishi, i cili tash është në arrati.

Gazeta Express në vitin 2014 ka bërë një hulumtim për këtë ekip famëkeq të Medicus’it, të cilët shkatërruan imazhin e Kosovës.

Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008./GazetaExpress