Në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, të akuzuarit për nxitjen e vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar shoku i ngushtë i të ndjerit Triumf Riza.
Ky rast ka filluar rishtazi pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin.
Dëshmitari Gazmend Hoti, i cili deklaroi se ka qenë shok i ngushtë me të ndjerin Triumf Riza duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Haki Gecaj rrëfeu për marrëdhënien shoqërore që kishte pasur me Triumfin si dhe atë që kishte parë e dëgjuar në ditën kritike gjatë së cilës kishte humbur jetën shoku i tij.
“Duke e ditur natyrën e punës së zyrtareve policor, gjatë bisedave, gjatë ndejave me ju a ka ndodhur që Triumf Riza të përmend ndonjëherë edhe ndonjë problem apo shqetësim që e ka në punë gjatë kryerjes së detyrave të punës”, e pyeti dëshmitarin, prokurori.
Në lidhje me këtë dëshmitari u përgjigj se Triumf Riza atij i kishte përmendur dy persona me të cilët kishte thënë se kishte pasur probleme, Enver Sekiraqën dhe një person tjetër të quajtur Tahir ‘Fushë Kosova’.
“Po, prej bisedës me të ai i ka përmendur dy emra. Enver Sekiraqën dhe Tahir Fushë Kosova, kështu i thonë”, u përgjigj dëshmitari.
“A keni pasur biseda me të gjata me të, meqë i ka përmendur këta emra pse kanë ardhur deri te ato probleme a kanë qenë probleme që lidhen me çështje private apo që lidhen me natyrën e punës të cilën e ka punuar si zyrtar”, e pyeti më tej prokurori.
“Me Triumfin nuk ka mundur askush të ketë probleme private. Unë kam kaluar shumë kohë me të dhe e kam njohur se çfarë personi ka qenë ai. Triumfi ka qenë një djalë i mirë, i cili ndihmë i ka dalë të gjithëve, shoqërisë së pari e pastaj krejt të tjerëve kujt ka mundur t’i ndihmojë. Nuk e di që ja ka dashtë të keqën dikujt edhe gjynah që është vrarë”, deklaroi dëshmitari.
Në lidhje me problemet për të cilat dëshmitari tha se i ndjeri t’i kishte treguar se kishte pasur me të akuzuarin Enver Sekiraqa dhe një person tjetër të quajtur Tahir Fushë Kosova, tha se këto detaje i ka deklaruar në deklaratat e tij të më hershme, të cilat tha se i mbështet në tërësi.
Tutje dëshmitari e përshkroi ditën kritike në të cilën kishte humbur jetën polici Triumf Riza.
“Unë kam qenë në Pejë dhe prej partnerit tim afarist morra një thirrje telefonike që unë isha në punë prej orës 11 apo 12 të ditës, unë u nisa nga Peja dhe mbërrita për një orë e gjysmë në Prishtinë aty u takova me shokun tim Triumfin, patëm një bisedë shoqërore më kujtohet se dy herë kemi dalë në marketin e afërm dhe kemi blerë akullore pas asaj unë dola ta përcillja shokun tim, gjatë kthimit tim në lokal dëgjova të shtëna rrafall, të shpejta, dikush nga stafi bërtiti Triumfi, kur dola unë jashtë pash një person me kapelë duke ikur në tunelin e afërm, Triumfi ishte i gjunjëzuar dhe me stafin tim dhe disa klient e morëm dhe e dërguam në emergjencë. Pas marrjes së doktorëve për trajtim pas 10 minutash ata na treguan se Triumfi ka vdekur”, tha dëshmitari.
Më tej tha se ai kishte vazhdova për në stacion policor për të dhënë deklaratë.
Ndërsa për personin i cli e kishte qëlluar të ndjerin tha se nuk kishte arritur ta identifikonte se kush kishte qenë.
“Qysh e kam thënë edhe në deklaratë atë e kam parë me shpinë, me kapelë të kuqe, duke hyrë në tunel. Nuk kam mundur ta identifikoj”, u përgjigj ai.
Për Arben Berishën personin i cili është i dënuar për vrasjen e Triumf Rizës, dëshmitari tha se deri në momentet kur policia e ka zënë këtë person asnjëherë nuk ka e ka parë si dhe nuk e ka njohur më parë, pasi që tha se shoku i tij Triumf Riza asnjëherë nuk e ka përmendur këtë person.
Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi dëshmitarin e ballafaqoi me një deklaratë të tij të dhënë në polici në vitin 2007 në të cilën në faqen e fundit të procesverbalit të marrjes në pyetje të dëshmitarit nuk figuron nënshkrimi i tij e as i intervistuesit, e po ashtu as koha në të cilën ka përfunduar marrja në pyetje e dëshmitarit.
Në lidhje me këtë deklaratë dëshmitari nënshkrimin në faqen e parë e konfirmoi si të tijin dhe tha se i kujtohet se atë ditë në pyetje e ka marrë një polic nga Istogu.
“A ju ka përmendur ndonjëherë i ndjeri se ai dëshiron ta fus në burg Enver Sekiraqën”, e pyeti avokatja Kosovare Kelmendi.
Për çka dëshmitari tha se Triumf Riza gjithherë e ka potencuar “se sido që të bëhet vetëm në mënyrë ligjore do ta qoj në burg për problemet e tij që i ka bërë”, tha ai.
Sekiraqa ishte dënuar në vitin 2016 me 27 vjet burg në lidhje me nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, mirëpo Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu në rigjykim çështjen. /Kallxo.com