Dëshmia që tregon se Thaçi është prapa grevave të orkestruara

Dëshmia që tregon se Thaçi është prapa grevave të orkestruara

Pas grevave të minatorëve të Trepçës, mjekëve kirurgë dhe mësimdhënësve, edhe shërbyesit civilë kanë paralajmëruar nisjen e një greve të martën. Këta punëtorë të administratës po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës rritjen e koeficientet përmes Ligjit për Paga, si dhe njohjen e përvojës së punës të nëpunësve civilë gjatë viteve 1990-99.

Rreth 23 mijë shërbyes civilë pritet që nesër të hyjnë në grevë një orëshe duke filluar nga ora 10:00 deri në 11:00, por kanë kërcënuar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre atëherë do të hyjnë edhe në grevë të përgjithshme.

E për futjen në grevë të më shumë se tre sektorëve të shtetit, deputetët e AAK-së kanë shprehur dyshime se dikush qëndron prapa këtyre zhvillimeve; se disa prej këtyre grevave janë të orkestruara.

Një dëshmi se greva e paralajmëruar e shërbyesve civilë ka prapavijë të dyshimtë është fakti që përfaqësues i Këshillit Grevist të Shërbyesve Civilë është Ali Sefaj, ish-militant i Partisë Demokratike të Kosovës, i afërt me tashmë presidentin Hashim Thaçi.

Sefaj, një njeri i afërt i presidentit Thaçi, ishte shpërblyer në mënyrë të dyshimtë nga Thaçi – në kohën kur ai shërbente si kryeministër i vendit – në vitin 2009, kur me vendim të asokohe shefit të ekzekutivit ishte emëruar kryesues i Bordit të Kompanisë së Ujitjes “Drini i Bardhë”. Insajderi ka siguruar vendimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, përmes së cilit kishte nënshkruar për emërimin e Ali Sefajt si kryesues të Bordit të Ujitjes “Drini i Bardhë”.

“Në Bordin e Ndërmarrjes Publike, Kompania e Ujitjes ‘Drini i Bardhë’ emërohen këta kandidatë: 1. Ali Sefaj – kryesues, 2. Fadil Kabashi, 3. Beqir Metaj, 4. Shkodran Gaxherri”, thuhej në vendimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës më 23 prill të vitit 2009, të nënshkruar nga kryeministër Hashim Thaçi.

Paraprakisht, asokohe kryeministri Thaçi kishte anuluar vendimet për emërimin e anëtarëve të Bordit të kësaj Ndërmarrjeje Publike, të zgjedhur në muajin prill të vitit 2008. Një vit më vonë, përmes ndryshim-vendimit për anëtarët e Bordit të Kompanisë së Ujitjes “Drini i Bardhë”, ai kishte emëruar Ali Sefajn në pozitën e kryesuesit të Bordit të Ndërmarrjes.

Mirëpo, Sefaj ishte larguar nga pozita e kryesuesit të Bordit të Kompanisë së Ujitjes “Drini i Bardhë” me vendim të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, e cila kishte mandatin të mbikëqyrte pavarësinë e Kosovës dhe të kujdesej që Plani i Ahtisarit të zbatohej në tërë territorin e vendit.

Tash si përfaqësues i Këshillit Grevist të shërbyesve civilë, Sefaj tha se po kërkojnë që përmes këtij ligji të trajtohen barabartë me punëtorët e sektorëve të tjerë. Ai tha se nuk duan ta paralizojnë shtetin, por kërkojnë reflektim ndaj kërkesave të tyre.

“Qëllimi i grevës është masë e vogël paralajmëruese e karakterit sindikal që institucionet qendrore t’i përmbushin minimalisht dy kërkesat të cilat i kanë shërbyesit civilë. Shërbyesit civilë kërkojnë nivelizim të pagave me sektorët tjerë, kemi një rritje të premtuar mirëpo nuk e kemi të shkruar dhe të dhënë si ofertë dhe kemi stazhin e shërbyesve civilë të cilët kanë punuar në vitet e 90-ta që politikisht janë larguar nga marrëdhënia e punës, e sot nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit për faktin se iu mungojnë dy tre, pesë muaj, apo një vit përvojë pune”, u shpreh ai.

“Ne kemi kërkuar që koeficienti të rritet dhe të jetë i barasvlefshëm me institucionet tjera dhe me sektorët tjerë. Ne i mirëkuptojmë mundësitë buxhetore që ka shteti, mirëpo kërkojmë reflektim, ne nuk dëshirojmë ta paralizojmë apo ta bllokojmë shtetin, mirëpo ne mendojmë që ushtarët e shtetit janë administrata publike dhe shteti duhet të reflektoj karshi kërkesave të tyre me mundësitë buxhetore “, u shpreh Sefaj.

Sipas tij, pa e marrë ofertën e shkruar nga Qeveria, ofertë në të cilën përfshihen kërkesat e tyre ata nuk do të zmbrapsen nga greva e paralajmëruar. /Insajderi.com